Borxhi i jashtëm vlera rekord, në shtator 8.9 miliardë euro

10 Dhjetor 2021, 19:47| Përditesimi: 10 Dhjetor 2021, 19:51

  • Share

Borxhi i jashtëm i vendit është zgjeruar në tremujorin e tretë të këtij viti me 193 milionë euro.

Banka e Shqipërisë thotë se në fund të muajit shtator borxhi i jashtëm ishte në vlerën e 8.9 miliardë euro nga 8.7 miliardë euro që ishte në fund të qershorit.

Ky është niveli më i lartë i borxhit të jashtëm i regjistruar që prej vitit 2008, kur janë edhe raportimet e Bankës së Shqipërisë.

Mbi 89% e borxhit të jashtëm bruto është me maturitet afatgjatë dhe në këtë tremujor është zgjeruar me 172 milionë euro thotë Banka Qendrore. Në të njëjtën kohë, borxhi i jashtëm bruto në maturitetin afatshkurtër u rrit me 21 milionë euro.

Qeveria zotëron rreth 46 % të totalit të Borxhit të Jashtëm, ndërsa pjesa tjetër i takon sistemit bankar, autoritetit monetar dhe sektorëve të tjerë.

Në fund të muajit shtator 2021, detyrimet e Qeverisë qendrore e vendore vlerësohen në 4,1 miliardë, që janë marrë në formën e huasë dhe obligacioneve.

Gjatë këtij viti janë marrë disa hua, si për shëndetësinë me fokus përballimin e pandemisë, po ashtu edhe për turizmin apo kredi për energjinë elektrike.

Stoku i borxhit të jashtëm pritet të zgjerohet edhe më tej për shkak të emetimit të eurobondit në muajin nëntor në vlerën e 650 milionë eurove, e cila do të përdoret për disa sektorë kryesor.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?