Gjykata Kushtetuese

Boshatiset Kushtetuesja, drejt largimit edhe Fatmir Hoxha  

8 Maj 2018, 07:22| Përditesimi: 8 Maj 2018, 07:41

  • Share

Gjykata Kushtetuese, më e rëndësishmja në sistemin gjyqësorë në Shqipëri, rrezikon të mbetet për asnjë anëtar, për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut. Pas shkarkimit të anëtarëve Fatos Lulo dhe Altina Xhoxhaj, edhe anëtari Fatmir Hoxha është një hap larg shkarkimit, pasi sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk e justifikon pasurinë.

Me largimin e mundshëm të Hoxhës, Kushtetuese mbetet më dy anëtarë, Bashkim Deden dhe Gani Dizdarin, të cilët nuk i janë nënshtruar ende Vetingut. Vitore Tushës, e cila u konfirmua në detyrë, i ka mbarur mandati 9-vjeçar, ndërsa anëtari tjetër, Besnik Imeraj, dha dorëheqjen nga frika e Vetingut. Kjo gjykatë nuk mund të mblidhet më, por mund të mbetet edhe pa asnjë anëtar.  

Rezultatet për Fatmir Hoxhën
Anëtari i Gjykatës Kushtetuese Fatmir Hoxha, doli dje para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, me trupë gjykuese të përbërë nga Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari dhe Alma Faskaj, për t’u njohur me rezultatet e verifikimit të tij për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet e mundshme me krimin dhe aftësitë profesionale. Komisioni ka arritur në përfundimin se Hoxha nuk e justifikon pasurinë.

Relatoja Alma Faskaj u shpreh se sipas ILDKPKI, gjyqtari nuk ka bërë deklarim të rremë dhe se pasurinë e ka nga burime të ligjshme. Por, KPK, ashtu si në raste të tjera, ka bërë hetimin e vet, në bashkëpunim me hetuesit ndërkombëtar, nga ku ka rezultuar se gjyqtari nuk justifikon një shumë prej 17 milionë lekësh.

“ILDKPI na ka sjellë përgjigje për gjyqtarin Fatmir Hoxha se ka bërë deklarim të saktë, burime të ligjshme, nuk ka fshehur pasurinë dhe se nuk ka bërë deklarim të rremë. Komisioni ka bërë hetim të thelluar për pasurinë, burimet e krijimit, të ardhurat dhe fshehjet e pasurisë. Gjyqtari ka apartament 2+1, 112 m2 në Tiranë me vlerë 140 mijë e 450 euro.

Gjyqtari ka marrë kredi të bute si i pastrehë. Vlera e kredisë së butë është 5 mln lekë. Nga disa përllogaritje gjyqtari ka mos përputhje të burimeve të pasurisë”,
tha Relatoja Alma Faskaj, duke paralajmëruar deri diku shkarkimin e gjyqtarit. Për sa i përket figurës së gjyqtarit, Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar ka konstatuar se Fatmir Hoxha është i përshtatshëm për të vazhduar detyrën.

Sa i takon aftësive profesionale, KPK thekson se ndaj gjyqtarit janë depozituar 3 denoncime nga qytetarët, por ajo që mund ta penalizojnë gjyqtarin është pasuria. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të japë vendimin për gjyqtarin e Kushtetueses Fatmir Hoxha me 10 maj.

Avokati Mërtiri
Pas fjalës së relatores, Julian Mërtiri Mërtiri ka mbrojtur klientin e tij duke thënë se Fatmir Hoxha e ka blerë apartamentin me kredi dhe një borxh nga kunati, ndërsa një pjesë të parave që sipas KPK nuk justifikohen e ka siguruar nga dy dasmat.

Avokati deklaroi se gjyqtarit 275 mijë lekë të reja ia kanë hedhur në dasmë, dhe kjo mund të vërtetohet sipas tij me kasetën e dasmës së vitit 2003, të cilat i dorëzoi, por nuk u pranuan si provë nga trupa gjykuese.

Gjyqtari ka qenë bashkëpunues me KPK-në. Apartamentin, gjyqtari e ka blerë me kredi dhe një borxh të marrë nga kunati në vlerën e 28 mijë eurove. Gjyqtari lekët e shtëpisë i ka bërë cash, por ai i ka deklaruar pranë ILDKPI. Nga dy dasmat e bëra gjyqtari ka grumbulluar vlera monetare dhe dhurata. Në 2003 është pretenduar një shumë që nuk justifikohet, por nga një dasmë tradicionale është shumë normale shuma e lënë nga miqtë dhe të afërmit. Hoxha, nga 2011 është emëruar anëtar i Kushtueses, në Shkodër ka shitur një banesë bashkë me orenditë, shuma i përket banesës dhe orendive. Për sa i përket borxhit të marrë, ende nuk është shlyer, bashkë me një kredi të marrë. Kredia e butë është marrë sipas një vendimi të qeverisë si një  nga funksionarët e lartë, ishte i pastrehë, pasi vinte nga Shkodra. Kredia është marrë për të blerë banesën në Tiranë. Borxhi kunatit është marrë për apartamentin dhe është shlyer.

avokati i gjyqtarit, Julian Mërtiri

Zëvendësimi i anëtarëve të Kushtetueses i pamundur
Ka një debat sa i takon mundësisë së plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka vendosur të hapë procedurën e zgjedhjes së dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Por, me futjen në fuqi të ligjeve të reformës në drejtësi, anëtarët e rinj të gjykatës duhet të kenë kaluar më parë Vetingun. Ndërkaq, organet e Vetingut kanë përparësi të tjera dhe jo kandidatët që kanë aplikuar për dy vende bosh në Gjykatën Kushtetuese. Kur kandidatët të kalojnë procesin e Vetingut, ata duhet të kalojnë nga KED, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Më pas, Kuvendi zgjedh gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese me jo më pak se tri të pestat e të gjithë anëtarëve të tij. Nëse Kuvendi nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë shpallet i emëruar.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?