Kronikë

Pamje me dron/ Thethi mbushet me ndërtime pa leje! Pas kabinave të Prek Kodrës, nis shembja për 40 objekte të tjera! Familja Koçeku: Po na largoni turistët

8 Korrik, 12:03| Përditesimi: 8 Korrik, 16:14

  • Share

12 kabinat që kishin “mbirë” pa leje në qendër të Thethit sot nuk janë më. Ato u hoqën brenda 24-orësh nga IKMT-ja dhe Policia e Shtetit. Këto janë pamjet me dron që sjell Report TV, paraditen e se martës, ku shihet se sheshi përpara kishës në qendër të Thethit është liruar plotësisht.  Aktualisht punëtorët e Bashkisë po heqin betonin dhe po punojnë për sistemin e plotë të sheshit. Gjithsesi rikthimi i gjelbërimit do të kërkojë kohë....

Por aksioni nuk do të ndalet këtu, pasi në gjithë fshatin turistik është ndërtuar pa kriter. Report TV e sjell sot me pamje nga ajri, realitin në Theth ku kanë vërshuar ndërtimet e pakontrolluara.

Sot po shemben 5 objekte me strukturë druri në pronësi të familjes Koçeku. Ata e kundërshtojnë aksionin e IKMT, duke u justifikuar se tashmë kanë turistë brenda.

"Jemi trashëgimtarë të kullës së ngujimit ku janë pajtuar të gjithë banorët e Dukagjinit. Kemi menduar ta shfrytëzojmë tokën e të parëve tanë, kemi aplikuar për leje dhe nuk na është dhënë. Na është lënë një afat prej 2 orësh për t’i hequr, ndërkohë që kemi turistë brenda. Nuk duhet të bëhet aksioni tani", – shprehet familja Koçeku.

 Ndërsa në total janë dhënë 40 vendime nga IKMT, por duhet theksuar se inpektorët u kanë lënë afat një javë pronarëve të bëjnë vetë çmontimin e objekteve në të kundërt do të ndërhyhet me fabroma për shembjen e tyre.

Një ditë më parë, Kryeministri Rama e quajti masakër të mirëfilltë ndërtimin e këtyre kabinave pa leje. Report Tv ka mësuar se ndërtuesi, të cilit Rama i referohet si “kriminel”, është një emër shumë i njohur për drejtësine. Prek Kodra, i cili 4 vite më parë, në një dokument të Njësisë Kundër Terrorizmit të Kosovës, rezulton se kishte planifikuar të vriste me snajper kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe 2 politikanë të tjerë të njohur në Prishtinë. Kodra është shpallur në kërkim për dy nga dosjet më të bujshme të SPAK, njëra si pjesëtar i organizatës kriminale të Suel Çelës në Elbasan që e përfshiu në atentatin ndaj Ardian Çapjas. Masa e dytë për të është në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, në akuzë për disa ngjarje kriminale.

Për skandalin e këtij ndërtimi në zemër të Thethit, Rama denoncoi vendimin e prokurores Elsa Gjeli në Shkodër, e cila nuk gjeti arsye për të nisur hetimet ndaj Kodrës. Ndërsa Prokuroria e Shkodrës e cilësoi të patolerueshme ndërhyrjen e Ramës, duke thënë se vendimi i Elsa Gjelit është bazuar në ligj. Sipas prokurorisë, Policia e Shkodrës I ka referuar si kontejnerë të përkohshëm pa themele, ndaj nuk kishte nisur procedimi penal.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • lili: 08/07/2025 20:29

    Duvet te ishte larguar me kohe ministra e turizmit!

    Përgjigju
  • adi: 08/07/2025 19:36

    E njoh Thethin qe nga vitet 70, kam punuar deri n fund te viteve 80. Vjet u riktheva per nje fundjave. Tmerr, plehra, ndertime pa leje. Po shoh qe kabinat perpara kishes jane shembur, si dhe disa koçere skuta vetem per te bere leke i ka ardhur urdhri per prishje. Pyetja lind, si ka mundesi qe u lane kafazet perballe kishes se Thethit te ndertohen? A ka nje plan per infrastrukture dhe si mund te zgjidhet problemi i turizmit te te haujve qe kerkojen te flene disa nete? Apo Rama kujton se ben vajtje ardhje, dhe ne darke kthehesh me fjete ne hotelet ne SHkoder?

    Përgjigju
  • Rexhi: 08/07/2025 17:49

    Shteti shteti Merrni lejen dhe zoti mbare ju a bëftë

    Përgjigju
    • Dakord: 08/07/2025 19:11

      Nuk të jep njeri leje në këtë vend. Të mbajnë jetën peng. Një azhornim kam kërkuar në janar në bashki dhe as që duan tja dinë fare, zero përgjigje. Imagjino kur të kërkoj leje për ndërtim që 70m është gjithsrj dhe në fshat.

  • TRANS -RAPID: 08/07/2025 14:26

    Ai kontaminuesi që ngre kontejner në mes,të parkut kombëtarë ai duhet të ngarkohet me të gjitha shpenzimet përkatëse plus gjobitje kështu është në shtetet ku ligji dhe drejtësia funksionojnë

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    I kishin mbetur edhe 3 muaj burg, si e vlerësoni lirimin e Salianjit?