12 kabinat që kishin “mbirë” pa leje në qendër të Thethit sot nuk janë më. Ato u hoqën brenda 24-orësh nga IKMT-ja dhe Policia e Shtetit. Këto janë pamjet me dron që sjell Report TV, paraditen e se martës, ku shihet se sheshi përpara kishës në qendër të Thethit është liruar plotësisht. Aktualisht punëtorët e Bashkisë po heqin betonin dhe po punojnë për sistemin e plotë të sheshit. Gjithsesi rikthimi i gjelbërimit do të kërkojë kohë....
Por aksioni nuk do të ndalet këtu, pasi në gjithë fshatin turistik është ndërtuar pa kriter. Report TV e sjell sot me pamje nga ajri, realitin në Theth ku kanë vërshuar ndërtimet e pakontrolluara.
Sot po shemben 5 objekte me strukturë druri në pronësi të familjes Koçeku. Ata e kundërshtojnë aksionin e IKMT, duke u justifikuar se tashmë kanë turistë brenda.
"Jemi trashëgimtarë të kullës së ngujimit ku janë pajtuar të gjithë banorët e Dukagjinit. Kemi menduar ta shfrytëzojmë tokën e të parëve tanë, kemi aplikuar për leje dhe nuk na është dhënë. Na është lënë një afat prej 2 orësh për t’i hequr, ndërkohë që kemi turistë brenda. Nuk duhet të bëhet aksioni tani", – shprehet familja Koçeku.
Ndërsa në total janë dhënë 40 vendime nga IKMT, por duhet theksuar se inpektorët u kanë lënë afat një javë pronarëve të bëjnë vetë çmontimin e objekteve në të kundërt do të ndërhyhet me fabroma për shembjen e tyre.
Një ditë më parë, Kryeministri Rama e quajti masakër të mirëfilltë ndërtimin e këtyre kabinave pa leje. Report Tv ka mësuar se ndërtuesi, të cilit Rama i referohet si “kriminel”, është një emër shumë i njohur për drejtësine. Prek Kodra, i cili 4 vite më parë, në një dokument të Njësisë Kundër Terrorizmit të Kosovës, rezulton se kishte planifikuar të vriste me snajper kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe 2 politikanë të tjerë të njohur në Prishtinë. Kodra është shpallur në kërkim për dy nga dosjet më të bujshme të SPAK, njëra si pjesëtar i organizatës kriminale të Suel Çelës në Elbasan që e përfshiu në atentatin ndaj Ardian Çapjas. Masa e dytë për të është në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, në akuzë për disa ngjarje kriminale.
Për skandalin e këtij ndërtimi në zemër të Thethit, Rama denoncoi vendimin e prokurores Elsa Gjeli në Shkodër, e cila nuk gjeti arsye për të nisur hetimet ndaj Kodrës. Ndërsa Prokuroria e Shkodrës e cilësoi të patolerueshme ndërhyrjen e Ramës, duke thënë se vendimi i Elsa Gjelit është bazuar në ligj. Sipas prokurorisë, Policia e Shkodrës I ka referuar si kontejnerë të përkohshëm pa themele, ndaj nuk kishte nisur procedimi penal.
Komente

Ai kontaminuesi që ngre kontejner në mes,të parkut kombëtarë ai duhet të ngarkohet me të gjitha shpenzimet përkatëse plus gjobitje kështu është në shtetet ku ligji dhe drejtësia funksionojnë
Përgjigju