Një raport i Komisionit Evropian për sundimin e ligjit dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri, i publikuar vetëm 2 ditë më parë, ngrinte shqetësimin për gjendjen e sistemit gjyqësor në vend, me vakanca të shumta të krijuara për shkak të vettingut.
“Mungesa e burimeve financiare dhe njerëzore, përfshirë magjistratët, vazhdon të ndikojë negativisht në cilësinë e drejtësisë”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian
Sipas strukturës aktuale, vendi ka nevojë për 417 gjyqtarë dhe 341 prokurorë. Por jo të gjithë ushtrojnë detyrën në gjykata, pasi përveç mungesave, shumë janë të angazhuar dhe pranë institucioneve të tjera të drejtësisë. Gjyqtarë dhe Prokurorë efektivë janë respektivisht 272 dhe 221.
Raporti i Komisionit europian ngrinte shqetësimin për pamundësinë e plotësimit të këtij boshllëku, me studentët nga magjistratura, i vetmi burim që furnizon sistemin me gjyqtarë dhe prokurorë të ardhshëm.
“Një burim shtesë shqetësimi janë kuotat e vendosura nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) për Shkollën e Magjistraturës për vitin akademik 2025-2026, pasi ato janë gjerësisht të pamjaftueshme për të siguruar që, në afat të mesëm, vendet e lira të plotësohen gradualisht. Rritja e numrit dhe cilësisë së kandidatëve për magjistratë dhe asistentë ligjorë të pranuar në Shkollën e Magjistraturës është thelbësore”, thotë KE.
Kuotat e vendosura nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë për vitet 2025-2026 janë më të ulëtat e të paktën 5 viteve të fundit. KLGJ ka vendosur që në këtë vit të ri në Magjistraturë të regjistrohen vetëm 10 kandidatë për gjyqtarë, ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë vetëm 12 kandidatë për prokurorë të ardhshëm. Shifra që janë sa gjysma e vitit të kaluar, apo sa 1/3 e kuotave në 2022-shin dhe 2023-shin.
Report Tv iu drejtua me nga një kërkesë për informacion dy institucioneve qeverisëse të drejtësisë, KLGJ e KLP, për metodologjinë e ndjekur dhe arsyet e përcaktimit të këtyre kuotave.
Në përgjigje të kërkesës për informacion KLGJ dhe KLP thonë se në përcaktimin e kuotave, kanë “mbajtur në konsideratë një sërë faktorësh siç janë nevojat aktuale për gjyqtarë në sistemin gjyqësor, nevojat e pritshme, duke përllogaritur vendet që priten të bëhen të lira, nevojat aktuale dhe në vijimësi për gjyqtarë në institucionet e sistemit të drejtësisë, mundësitë e plotësimit të nevojave aktuale dhe atyre të pritshme në një të ardhme të afërt, si edhe kapacitetet e Shkollës së Magjistraturës”.
Në relacionin për vendimmarrjen e kuotave janarin e kaluar, KLP thotë se për tre vitet e ardhshme pritet të diplomohen 78 studentë në profilin prokuror, ndërsa KLGJ thotë se në total, deri në vitin 2027, pritet të diplomohen 106 kandidatë për magjistratë, profili gjyqtar.
Një përllogaritje e shifrave faktike tregon se në sistem mungojnë 145 gjyqtarë dhe 120 prokurorë. Pra, edhe nëse të gjithë studentët diplomohen deri në fund të vitit 2028, duke i shtuar edhe kuotat e këtij vitit akademik, mungesat në sistem nuk plotësohen, duke mos llogaritur këtu dorëheqjet, apo largimet për shkaqe të tjera. Mbetet e paqartë se bazuar në cilat parametra, KLGJ ka përcaktuar numrin total të magjistratëve. Deri më tani nuk rezulton të jetë bërë ndonjë studim për nevojat e sistemit.
Shqipëria, sipas vlerësimeve të një raporti të specializuar të Këshillit të Evropës është vendi me numrin më të ulët për gjyqtarë ndër vendet evropiane. Mesatarja e vendeve të Këshillit të Evropës, që përfshin edhe shtetet lindore, është mbi 17 gjyqtarë për 100 mijë banorë, ndërsa në Shqipëri është rreth 11 gjyqtarë për 100 mijë banorë. Ndërkohë që në vendet e E-së mesatarja është dhe më e lartë.
E njëjta situatë në raportin e Komisionit Evropian, të miratuar të martën, përveç gjyqtarëve dhe prokurorëve paraqitet edhe për këshilltarët ligjorë.
“Pozicionet e këshilltarëve ligjorë mbeten të kufizuara. Ndryshimet ligjore janë ende të nevojshme për të siguruar një provim të veçantë pranimi për magjistratët dhe këshilltarët ligjorë, si dhe një rrugë përparimi në karrierë për këta të fundit”, thekson raporti i Komisionit Evropian.
Edhe pse ka pasur një premtim se numri në organikë do të rritej për këshilltarët ligjorë, situata mbetet e tillë që në kuotat për vitin 2025-2026, si KLGJ ashtu edhe KLP kanë vendosur vetëm nga 3 kandidatë për në Shkollën e Magjistraturës.
Komente
