I zhdukur pa gjurmë që në gusht të vitit të kaluar, për Ervis Martinajn, ‘bosin’ e lojërave të fatit, është lëshuar një tjetër urdhër i ri arresti. Martinaj dyshohet për vepra penale të urdhërimit të vrasjes së Gjin Ndojit në vitin 2020 në Vau Dejës. Emri i tij, doli në mesin e urdhër-arresteve firmosur nga SPAK në një megaoperacion në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, për të cilët thuhet se janë 15 në total, edhe pse zyrtarisht nuk është dhënë asnjë detaj.
40-vjeçari prej gushtit 2022 rezulton i zhdukuar, askush nuk di të thotë është gjallë apo i vdekur. Policia e Shtetit ka humbur betejën e saj më të madhe të 356 ditëve të fundit, duke mos i dhënë përgjigje misterit të madh të fatit të bosit të lojërave të fatit. Edhe i zhdukur, Ervis Martinaj vijon të jetë hije që ngacmon jo vetëm opinionin publik, por edhe organet e drejtësisë.
Kjo është masa e dytë e arrestit ndaj tij. Në maj 2022 Ervis Martinaj u shpall në kërkim nga SPAK pas rrëfimeve të Nuredin Dumanit se i kishte premtuar 500 mijë euro në këmbim të eliminimit fizik të një prej armiqve të tij të shumtë, Indrit Dokle.
Ervis Martinaj, prej rreth 15 vitesh është një ndër emrat më të lakuar të botës së krimit në vend, pas një rritjeje të madhe të pasurisë së tij prej kompanive të basteve që ka pasur në pronësi. Disa muaj më parë ne urdhë të SPAK u sekuestruan të gjitha pasuritë në emër të tij dhe familjarëve.
Lajmi kryesor:
SPAK operacion në Tiranë, Shkodër e Kukës, 6 arrestime, kontrolle banesave të Ervis Martinajt! Në pranga biznesmeni i kazinove Pëllumb Gjoka, pronar i plazhit 'ADA' në Velipojë
G.MO//ReportTv.al