Gjykata shtetërore e Bosnjës ka dënuar pesë ish-policë, serbë etnikë, për kryerjen e krimeve të luftës ndaj civilëve boshnjakë gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë më 1992-1995.
Millan Gjokiq dhe Bratisllav Trisiq u dënuan me nga tre vjet burgim, ndërkaq Zoran Tanasiq, Zharko Millanoviq dhe Mlladen Krajsnik, me nga dy vjet burgim.
Ata u gjetën fajtorë për torturim të boshnjakëve në zonën Bielina në verilindje të Bosnjës nga prilli i vitit 1992 deri në fund të shtatorit të vitit 1994, mbi baza politike, kombëtare, etnike, kulturore dhe fetare.
Të pandehurit u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit, ndërkaq tre të pandehur të tjerë, Savo Mërsiq, Millivoje Çobiq dhe Millan Markoviq, u liruan nga të gjitha akuzat.
Gjokiq ishte komandant policie në Janja nga fundi i vitit 1992 deri në qershor të vitit 1993, dhe më vonë u bë zëvendëskomandant. Tanasiq, Millanoviq dhe Krajsnik, ishin zyrtarë policorë në Janja, ndërkaq Trisiq ishte zyrtar i Shërbimit Shtetëror Sekret.
Janja gjendet 10 kilometra në jug të Bielinës.
Gjyqi ndaj tyre kishte nisur më 2016, ku ishin përfshirë edhe tre të pandehur të tjerë, por dy prej tyre vdiqën gjatë kohës së gjykimit, ndërkaq autoritetet thanë se i pandehuri i tretë nuk ishte i aftë të dilte para gjyqit për shkak se ishte i sëmurë.
Në Bielina kishte ndodhur një masakër në fillim të prillit të vitit 1992 nga paramilitarët lokalë serbë dhe nga Garda serbe e Vullnetarëve, një grup paramilitar i udhëhequr nga Zhelko Raznatoviq, i njohur me nofkën Arkan. Deri në 80 persona, shumica boshnjakë, por edhe serbë etnikë, të dyshuar si “kolaboracionistë”, u vranë gjatë masakrës.
Më shumë se 100.000 persona u vranë gjatë luftës në Bosnje, e cila përfundoi pas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, që ndau shtetin në administrata, gjerësisht të bazuara në linja etnike mes boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve./REL
QEKEN KEPUT DUKE I DENUAR ME AQ VITE KRIMINELET...
Përgjigju