Ministrja e Jashtme e Bosnje Hercegovinës Bisera Turkoviç pas takimit me homologen Olta Xhaçka, ka zhvilluar një takim edhe me presidentin Ilir Meta.
Presidenti Meta, duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe popujve tanë, u shpreh se e mirëpret vendimin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës për rihapjen e ambasadës në Tiranë, si shprehje të interesit të drejtpërdrejtë për nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Gjithashtu, Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e rihapjes së ambasadës së Shqipërisë në Sarajevë, sa më parë të jetë e mundur.
Presidenti Meta u shpreh se dialogu politik konstant, bazuar në frymën konstruktive dhe respektin e ndërsjellë, si dhe bashkëpunimi në rritje, përbëjnë premisën më të mirë për thellimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Bosnje dhe Hercegovinën.
Gjatë këtij takimi, Kreu i Shtetit theksoi mbështetjen që Shqipëria jep në mënyrë të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin e Bosnje-Hercegovinës.
Presidenti Meta vlerësoi lart kontributin e komunitetit shqiptar në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe atij boshnjak në Shqipëri, si një urë lidhëse tepër të rëndësishme mes të dy vendeve dhe popujve tanë.
Lajmi kryesor:
Xhaçka takim me homologen e Bosnje Hercegovinës: Do të forcojmë dialogun politik! Bashkëpunimi mes 2 vendeve ka potencial të madh (VIDEO)
J.GJ./ReportTv.al