Festa e Italisë së tenisit me trofeun e Davis Cup

VIDEO/ Bota e tenisit është e kaltër, Sinner dhe Berrettini mposhtin Holandën! Italia fiton Kupën Davis, numri një në botë: Trofe për ta ndarë me popullin italian

24 Nëntor, 19:49| Përditesimi: 24 Nëntor, 21:04

  • Share

MALAGA, Spanjë - Për të dytin vit radhazi Italia është fituese e Kupës Davis në tenis për meshkuj. Të kaltrit fituan kundër Holandës në arenën "Martin Carpena" të Malagas në Spanjë. Ishin dy tenistët Matteo Berrettini dhe Jannik Sinner që i dhanë të kaltërve suksesin e tretë në këtë turne dhe të dytin radhazi.

Italia e nisi mirë përballjen me tenistin Berrettini, që mposhti 2-0 me sete (6-4, 6-2) rivalin holandez Botic Van de Zandschlup. Kjo epërsi u shfrytëzua nga numri një në renditjen e botës, tenisti tjetër italian Jannik Sinner që mposhti po 2-0 me sete (7-6, 6-2) holandezin tjetër Tallon Griekspoor në një ndeshje të ngushtë dhe të luftuar në çdo top.

Dyshja e tenistëve nuk ishin vetëm, pasi me Berrettinin si kapiten dhe me Sinner si numrin një në botë ishin edhe Musetti, Vavassori dhe Bolelli që dhanë kontributin e tyre në këtë turne.

Numri një i botës, Sinner u shpreh i lumtur pas suksesit dhe tha se trofeu është për t'u ndarë me popullin italian.

"I gjithë stafi ka bërë një punë të shkëlqyer. Gjithmonë përpiqem të gjej mënyrën e duhur për të mposhtur kundërshtarët e mi. Të gjithë dhamë 100%". Është një ndjenjë e mrekullueshme që e mbyll vitin kështu, doja shumë, përndryshe nuk do të kisha ardhur. Jam shumë i lumtur që kam fituar këtë trofe për ta ndarë me popullin italian", tha Sinner.

Kapiteni i Italisë në këtë turne, Berrettini tha se kurrë nuk u dorëzua.

"Ishte një Kupë shumë e dëshiruar me shumë peripeci brenda dhe jashtë fushës. Unë thjesht doja të kthehesha për të përfaqësuar Italinë dhe jam shumë krenar. A e ka mbajtur Jannik fjalën e tij? Unë i detyrohem shumë, jo vetëm në fushë. Unë jam i frymëzuar nga ajo që ai po bën dhe dëshira e tij për t'u përmirësuar vazhdimisht.

Pas pak vitesh do të kuptojmë se çfarë po bën Sinner, e falënderova sepse erdhi këtu pas një viti të gjatë dhe të suksesshëm. Shpresoj të mbetem në këtë gjendje. Karriera e një tenisti është e paparashikueshme, por unë po punoj shumë dhe kam gjetur gëzimin të luaj sërish", tha Matteo Berrettini.

Kështu, Italia është fituese e Kupës Davis me Sinner dhe Berrettinin që dërgojnë të kaltrit në majën e botës së tenisit dhe mbajnë fronin në këtë turne.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?