Mbushja e Sheshit Skendërbej me besimtarë në ag, në lutjen për Fiter Bajramin, dukej një organizim perfekt. Si ato që sheh vetëm nga dora e natyrës: bletët në organizimin e jetës së tyre, zogjtë që ndërtojnë folenë, delfinët që shpëtojnë jetë etj. etj. Ishte një rregull magjik, ndërthurur me paqen e mendimeve të brendshme pozitive, që krijonin një disiplinë të mrekullueshme.
***
Në Tiranë, veç turizmit dentar të konsoliduar tashmë nga Italia drejt Shqipërisë, një tjetër migracion shëndetësor po ndodh: Spitalet tona private janë organizuar për të mikpritur (me tarifa disa herë të favorshme) pacientë italianë të patologjive të ndryshme. Eshtë një lajm që nga ne nuk është vënë re, deri në momentin që një media italiane bën një reportazh të gjatë duke treguar vende, fakte, të dhëna, intervista. Kaosi në sistemin shëndetësor shtetëror italian, listat e pritjes nga disa muaj në vite për vizita apo ndërhyrje të mbuluara nga sistemi shëndetësor kombëtar, tarifat e papërballueshme të ndërhyrjeve në sistemin privat, po bëjnë që qytetarë italianë të moshave dhe prejardhjeve të ndryshme të gjejnë zgjidhje në Shqipëri edhe për këtë.
***
Po nga media italiane, nga prokurori antimafia Nicola Grattieri, mësojmë se ndërkohë mafia shqiptare vazhdon të jetë një nga mafiat më të fuqishme në Europë dhe në Amerikën Latine, e krahasuar me Ndrangetën. Në Romë, dy bosë shqiptarë, edhe pse të burgosur, vazhdojnë të komandojnë. Francëzët, holandezët, gjermanët kanë zbërthyer aplikacionin Sky dhe materialiet që dalin nga aty, edhe për kriminalitetin shqiptar, tregojnë një realitet të egër, një botë paralele të bërë nga shqiptarë si ne, por që gdhihen e ngrysen me qëllimet e së keqes dhe për një pasurim të shpejtë e të pakufi, me çdo kusht.
***
Në Shqipëri SPAK, është një realitet që disave nuk po u besohet ende se ekziston, si po ekziston dhe si po funksionon. Madje nga dikush analizohet, prezantohet, supozohet, njësoj sikur të flitej për shfaqje UFO-sh të befasishme në qiell, që vetëm ndonjë “me fat” apo “pa fat” (varet nga përjetimi), i ka parë.
***
Në tik-tok dhe në spektaklet televizive jeta jonë është e ngjashme me atë të miliona të tjerëve në botë: herë gazmore, herë bullizuese, herë surprizuese, herë gjeniale, herë me një bukuri të pamatë, herë me një idiotizëm të tejskajshëm... Ndërsa në debate televizive të mbrëmjes dhe në diskurse e zhvillime politike, duket sikur realiteti shqiptar është edhe më i rëndë se në Ukrainë a në Gaza. Se inatet mes dy PD-ve janë edhe më të hidhura se ato mes Izraelit e Hamasit, Putinit dhe Zelenskyt. Opinionit publik shqiptar i ofrohen botë paralele, të cilat, është i/e lumtur ai/ajo që nuk i cek.
***
Shqipëria po përgatitet për sezonin e ri turistik dhe parashikimet për një vit të mirë duket se do të jenë të realizueshme. Në verën e 2022 në Ksamil ishte ngritur një bar-restorant plazh si ato që mund të shohësh në kartolinat e Mikonos apo Santorinit. Në verën e një viti më pas, 2023, ishte rrafshuar total. Në verën e 2024, në plazhet e jugut, në disa të hapura për të gjithë, vit pas viti kanë nisur rrethimet për ndonjë rezort. “Është ritmi normal i zhvillimit”, do të thonin progresistët e pakorrigjueshëm. Ndoshta kanë të drejtë, por kujdes, pushimet, të vetmuar, të izoluar dhe të rrethuar me beton, nuk janë të mira për shëndetin, sado e bukur dhe superarkitekt ta ketë bërë vilën në bregdet.