Sonte në mbrëmje pritet të shfaqet Faraoni në tokën e Carëve. Në Shën Peterburg pritet të bëjë debutimin e tij edhe Mohamed Salah ylli i fundit i Botërorit që ende nuk ka shfaqur cilësitë e tij. Ndeshjet e dyta në grupe nisin me Rusi-Egjipt dhe organizatorët pasi kanë fituar ndeshjen e parë ndaj Arabisë Saudite nëse fitojnë edhe me Egjiptin bëhen e para skuadër që do të sigurojnë kalimin për në 1/8.
Rusia është në humor të mirë dhe e bindur në aftësitë e saj ndërsa nuk priten ndryshime në formacion pasi skuadra fituese nuk ndryshohet. Trajneri Stanislav Cherchesov ka besim në lojtarët e tij: "Besoj tek lojtarët e mi dhe tek aftësitë e tyre luan apo jo Salah.Ne nuk luajmë thjesht kundër një lojtari të vetëm por dimë sit a ndalim Salah”, e mbyll trajneri i Rusisë.
Egjipti e humbi ndeshjen e parë 1-0 ndaj Uruguajit dhe kjo është një ndeshje për jetë a vdekje nëse nuk do të kthehet kaq shpejt në shtëpi.
Formacioni do jetë i njëjti me ndeshjen e parë me ndryshimin se Salah e kaloi provën dhe do jetë titular. Diçka të tillë e konfirmoi edhe trajneri Cuper. "Salah është në gjëndje të mirë. Dëshira është që të luajë dhe besoj se do jetë", përfundon trajneri argjentinas.