BASEL, Zvicër - Grupi B kualifikues i Kupës së Botës 2026 nis këtë mbrëmje ndeshjet. Me fillim nga ora 20:45 në 'St. Jakob Park' të Baselit, vendasit e Zvicrës luajnë kundër Kosovës. Edhe pse luhet në udhëtim, stadiumi pritet të jetë i mbushur me shqiptarë dhe për futbollistët 'Dardanë' ky do jetë një bonus.
Në prag të sfidës, trajneri i Kosovës, Franco Foda tha se nuk kanë ndërmend të mbrohen dhe se me besim dhe kurajo do shohin drejt sulmit.
“Kemi pasur paraqitje të mira, por edhe Zvicra ka treguar lojë dhe rezultate të forta. Në takimet e mëparshme kemi qenë më shumë në mbrojtje, por këtë herë duam të tregojmë lojë më sulmuese, të bëjmë presion të lartë dhe të ruajmë topin me kurajo. Shpresojmë të marrim rezultatin më të mirë të mundshëm”, tha fillimisht Foda.
Foda ka folur edhe për dy lojtarët që së fundmi u bashkuan me Kosovën, Leon Avdullahu dhe Veldin Hoxha.
“Janë paraqitur shumë mirë në stërvitje dhe na ndihmojnë për përparimin e lojës. Mesfusha është themeli i futbollit tonë dhe uroj të qëndrojnë sa më gjatë këtu. Ata do të kenë një të ardhme të ndritshme te Kosova”, deklaroi Foda.
Trajneri u ndal edhe te tifozët dhe pritshmëritë për shumë shqiptarë sot në Basel.
“Kam dëgjuar që ka pasur atmosferë të mirë në ndeshjet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Kemi parasysh që do ta kemi sërish përkrahjen. Shpresoj të kemi sa më shumë shikues në anën tonë dhe do të jetë një detyrë që t’i kënaqim me lojë. Presim që të ndahen të kënaqur dhe do të luajmë me një stil më të hapur për t’i gëzuar tifozët”, përfundoi Foda.
Komente
