BASEL - Kosova e Franco Fodas në futboll u mposht 4-0 nga Zvicra në Basel, me sfidën hapëse që vlente për Grupin B kualifikues të Kupës së Botës 2026. Një përballje për t'u harruar nga përfaqësuesja dardane, sidomos në pjesën e parë ku u pësuan katër gola.
Serinë e golave e hapi Akanji pas 22 minutave lojë, për të vijuar me Embolo në të 25 minutë. Më pas ishte Widmer që shënoi golin e tretë të takimit, ndërsa Embolo 'vulosi' gjithçka në fund të pjesës së parë me golin e dytë personal dhe të katërtin e ndeshjes.
Paçka mbështetjes nga tifozët, Kosova nuk mundi t'i bënte ballë Zvicrës që 90 minuta në fushë u duk shumë e fortë.
Pas ndeshjes, kapiteni shqiptar i Zvicrës, Granit Xhaka tha se nëse do luanin si në pjesën e parë mund të shënonin edhe shtatë gola. Ai u kujdes të theksonte se të gjithë e dinë se është shqiptar, mirëpo golat i festoi se përfaqëson Zvicrën.
“Mund të them që ishte një pjesë e parë më e mira që kemi bërë pas një kohe të gjatë. Por pjesa e dytë nuk ishte e mirë. Nuk kemi bërë gjërat që kemi planifikuar. Ata që më njohin e dinë që jam autokritik dhe kritik ndaj ekipit. Dhe nuk mund të jemi të kënaqur me pjesën e dytë. Nëse do të luanim si në pjesën e parë do të mund të fitonim 6-0 ose 7-0.
Kosova nuk m'u duk dobët, ishim ne në një gjendje të mirë. E gjithë bota e di që jam shqiptar me zemër dhe gjak. I festova golat sonte sepse përfaqësoj Zvicrën", tha Xhaka mes të tjerash pas sfidës në "St. Jakob Park".
Renditja e Grupit B
Komente
