Sport

Botërori i Katarit, Brazili e Argjentina prekin kualifikimin! 2 'superfuqitë ' e futbollit latin fitojnë dhe vetëm matematika i 'ndalon' festën

15 Tetor 2021, 10:47| Përditesimi: 15 Tetor 2021, 11:30

  • Share

Brazili është shumë pranë kualifikimit për në Kupën e Botës “Katar 2022”. Seleçao fitoi 4-1 ndaj Uruguait dhe larg Botërorit e mban vetëm matematika. Triumfoi edhe Argjentina që po ashtu “prek” kualifikimin.

Mungon vetëm matematika por Brazili do të fluturojë për në Botërorin e Katarit të vitit 2022. Seleçao hodhi në tapet Uruguain në ndeshjen e javës së 12-të të kualifikueseve të Amerikës së Jugut duke e mposhtur pastër 4-1. Neymar zhbllokoi rezultatin ndërsa më pas shënoi dy gola Raphinha dhe llogaritë i mbylli Gabriel Barbosa. Brazili e kryeson grupin e Amerikës së Jugut me 31 pikë pas 11 ndeshjeve të luajtura dhe prek kualifikimin për në Botërorin e vitit të ardhshëm.

Fitoi edhe Argjentina. Kombëtarja bardhekaltër mposhti minimalisht Perunë 1-0 me golin e Lautaro Martinez në fundin e pjesës së parë. Vendi i dytë për Argjentinën me 25 pikë 6 më pak se Brazili dhe tetë më shumë se vendi i tretë që mbahet nga Ekuadori. Edhe Argjentina është shumë pranë kualifikimit në Katar ndërsa fitoi edhe Kili ndaj Venezuelës./ Përgatiti Andi Kapxhiu

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?