Në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes për të rritur, që po zhvillohet në Fjorde të Norvegjisë, sportistët shqiptarë nuk kanë arritur rezultatet e pritura në ditët e para të garës.
Briken Calja garoi në Baterinë C të peshës deri në 79 kg dhe përfundoi i pari në këtë bateri, me një dygarësh prej 328 kg (147 kg në shkëputje dhe 181 kg në shtytje). Edhe pse nuk arriti të thyente rekordin personal, rezultati i tij mbetet i qëndrueshëm me performancat e mëparshme, por nuk mundi të ngrinte një peshë më të rëndë për t'u kualifikuar.
Erkand Qerimaj, që garoi në Baterinë B të së njëjtës peshë, pati një ditë shumë të vështirë. Ai realizoi 150 kg në shkëputje (me polemika për një provë të shpallur faull) dhe nuk arriti asnjë ngritje të vlefshme në shtytje, çka bëri që të mos klasifikohej në dygarësh.
Tashmë, vëmendja e ekipit shqiptar është tek Ertjan Kofsha, i cili do të garojë të mërkurën (në orën 14:00) në Baterinë C të peshës deri në 94 kg. Kampionati do të përfundojë më 11 tetor.
Komente
