KILLINGTON, Vermont (SHBA) - Skiatorja Lara Colturi është renditur në vendin e tetë në disiplinën e Slalomit Gjigant në ditën e dytë të Botërorit të Skive, zhvilluar në pistën e Killington në SHBA.
Të shtunën Lara u pozicionua e nënta, ndërsa ia ka dalë që të ngjitet një pozicion më shumë dhe të sigurojë pikë të tjera për Shqipërinë. 18-vjeçarja italo-shqiptare në lëshimin e parë u pozicionua e 13-ta, ndërsa korrigjoi veten dhe u pozicionua e shtata në lëshimin e dytë.
Me 1.46 sekonda pas vendit të parë, Lara siguroi 32 pikë të tjera dhe në renditjen e përgjithshme të Botërorit e sheh veten në vendin e shtatë me 112 pikë. Pas garës Lara u shpreh e lumtur.
“Jam shumë e kënaqur. Bëj katër gara që kam pasur super sukses këtu në SHBA dhe jam shumë lumtur që jam brenda 'top 10'. E di mirë që në stërvitje po bëj pak më mirë, por tani edhe në gara po rritem dhe kjo më bën të ndihem shumë mirë. Tani kemi periudhën e pushimit. Pastaj do të kemi sfidën e radhës", tha Colturi.
Sa i takon garës së sotme, vendin e parë e siguroi Camille Rast nga Zvicra, ndjekur nga suedezja Anna Larsson, në podium si e treta edhe Uendi Holdener po nga Zvicra.
Tanimë Colturi do përgatitet edhe për garën e radhës (e pesta e Botërorit) e cila zhvillohet më 7-8 dhjetor në pistën e Tremblant në Kanada.