Për herë të parë Shqipëria do të marrë pjesë në Botërorin e skive, teksa do të përfaqësohet me dy sportistë si Lara Colturi dhe Deni Xhepa. Ndryshe nga kampionati, në Botërorin që mbahet njëherë në dy vite, mund të rregjistrohen të gjithë shtetet, ndërsa referuar 78 kërkesave nga e gjithë bota pritet që konkurenca të jetë tepër e lartë.
“Nesër Lara Colturi mund ti falë një surprizë të jashtëzakonshme Shqipërisë. Për herë të parë është një garë shumë shumë e vështirë, pasi janë të gjithë pretendentët. Nëqoftëse në garat e Kupës së Botës bëhet një strategji për pikë nesër luhet gjithçka për gjithçka. Luhet o për vendin e parë ose të dalësh jashtë,”-u shpreh Elvis Toçi, president i Federatës Shqiptare të Skive.
Për Deni Xhepën objektivi është që të renditet në mesin e 30 më të mirëve, ndërsa Lara e cila pretendon medalje do të garojë fillimisht të enjten e 13 shkurtit në disiplinën e ‘Giant Sllallom’ dhe të shtunën në disiplinën e ‘Slalom’.
“Nesër në stadium priten mbi 50 mijë veta, është një event i jashtëzakonshëm. Janë të gjithë mediat ndërkombëtare dhe marketingu që i bëhet Shqipërisë, nuk është vetëm i federatës së skive apo Lara Colturit, por arritje e kombit shqiptar,”-tha Elvis Toçi, president i Federatës Shqiptare të Skive.
Edhe pse jemi në prag të garës më të rëndësishme të sportit të skive, në Federatën Shqiptare të Skive meraku vijon të jetë ende largimi i Lara Colturit, pasi Italia gjithmonë e më shumë po këmbëngul që 18-vjeçarja ti bashkohet vendit të lindjes.
“Është një botë shumë e shtrenjtë. Pavarësisht se është sport individual në ekipin e Larës janë 7 veta të cilët udhëtojnë në të gjithë botën. Kosto të jashtëzakonshme. Themi që sot Lara është shqiptare dhe uroj që nesër të kemi fat dhe të jemi në podium,”-deklaroi Elvis Toçi, president i Federatës Shqiptare të Skive.
Në kampionatin botëror të skive Lara Colturi ka bërë një sezon të jashtëzakonshëm, duke tejkaluar objektivin që të jetë mes 15 skiatoreve më të mira të botës, teksa në dy raste ka marrë medalje të argjendtë.
Komente
