Skuadra e Italisë në volejboll për meshkuj feston me trofeun

Sport

Botërori/ Italia mbetet në fronin e botës, shpallet kampione për herë të pestë në volejboll për meshkuj! Mposht Bullgarinë 3-1 me sete në finale

28 Shtator, 14:21| Përditesimi: 28 Shtator, 18:02

  • Share

Pasay City, Filipine - Italia në volejboll për meshkuj është fituese e Botërorit. Të 'Kaltrit' fituan 3-1 (25-21, 25-17, 17-25, 25-10) me sete kundër Bullgarisë në një finale të luftuar dhe me shumë emocione. Kampionë në fuqi në Botërorin e 2022, Italia mban fronin falë një forme fantastike në parket.

Në Pasay City në Filipine, 15 mijë të pranishmit në Pallatin e Sportit ishin dëshmitarë të një loje të shpejtë, sulmeve të sakta dhe disa gabimeve që nuk ishin deçizive për rezultatin final.

Në setin e parë, Italia fitoi 25-21, me bullgarët që rezistuan, por në fund ishin të 'Kaltrit' që fituan. Më pas, sërish Italia ishte më e saktë duke fituar 25-17 setin e dytë, për ta dërguar sfidën në pushim me rezultatin 2-0.

Bullgaria u kujdes të kundërpërgjigjej duke fituar 25-17 setin e tretë, me një lojë shumë të mirë. Paçka ngushtimit të rezultatit, Italia fitoi 25-10 në setin e katërt për t'u kurorëzuar për herë të pestë si kampione bote në volejboll për meshkuj. Te Italia, Romano me 22 pikë dhe Bottolo me 19 pikë ishin shënuesit më të mirë. Italia e ka fituar titullin kampion bote në volejboll për meshkuj në vitet 1990, 1994, 1998, 2022 dhe 2025. Kujtojmë se Italia është kampione bote në fuqi edhe në volejbollin e femrave.

Bullgaria rikthehej në një finale Botërori në volejboll për meshkuj pas 55 vitesh, pasi për herë të fundit këtë sukses e arritën në vitin e largët 1970, duke humbur. Ky ishte Kampionati Botëror i 21-të në volejboll për meshkuj.

Skuadrat:

Italia - 5 Michieletto, 6 Giannelli, 7 Balaso, 8 Sbertoli, 9 Sani, 11 Rychlicki, 12 Bottolo, 14 Galassi, 16 Romanò, 17 Anzani S., 19 Russo, 25 Gargiulo, 28 Pace, 31 Porro. Trajner:  De Giorgi

Bullgaria -1 Nikolov S., 3 Petkov, 4 Atanasov, 5 Naçev, 8 Asparuhov, 11 Grozdanov, 12 Tatarov, 15 Zhelev, 18 Antov, 20 Palev, 21 Dobrev, 22 Kolev, 23 Nikolov A., 29 Petkov. Trajneri: Blengini

Ora 18:01
Fenomeni Ferdinando De Giorgi, vetëm ai ka 5 medalje ari si kampion bote! Njihuni me trajnerin e Italisë në volejboll

Sot Italia e volejbollit për meshkuj mposhti 3-1 me sete Bullgarinë në finale dhe siguroi për herë të pestë titullin kampion bote. Veç suksesit në parket, ka edhe një tjetër fenomen që i ka drejtuar të 'Kaltrit' në këtë pikë.

Fjala është për Ferdinando De Giorgi, trajnerin e Italisë, që ka qenë protagonist në pesë medaljet e arta të Italisë, dikur si volejbollist dhe tanimë trajner. Tre vjet më parë e quanin 'Ancelotti i volejbollit', tani është rekordmen, nesër kush e di.

"Duhet të më thërrasin vetëm për Kupën e Botës", është batuta e tij e parë, duke mbajtur fort trofeun e pestë të Kupës së Botës në karrierën e tij. Po, askush nuk ka pesë medalje ari të Kupës së Botës dhe sigurisht askush si ai. Sepse ai është pjesë e rrethit të zgjedhur të lojtarëve italianë që ishin të pranishëm në të tre Kupat e Botës midis viteve '90 dhe '98. Dhe Italia filloi të fitonte përsëri kur ai u kthye, por si trajner, pas një përvoje të gjatë dhe trofeve të shumtë të fituar me klubet e tij.

Italia e ka fituar titullin kampion bote në volejboll për meshkuj në vitet 1990, 1994, 1998, 2022 dhe 2025.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?