Kultura

Botim i ri/ Dalin në dritë dokumentet e Arkivës së Shtetit, mbi veprimtarinë e politikanit dhe eruditit të shek.XX, At Ambroz Marlaskaj

7 Dhjetor 2024, 16:27| Përditesimi: 7 Dhjetor 2024, 16:42

  • Share

Jeta dhe veprimtaria e At Ambroz Marlaskaj, një intelektual i jashtëzakonshëm i fillimshekullit të XX-të vjen për herë të parë në një libër të plotë, ku publikohen dokumente të arkivës shtetërore.

Materialet e dorëshkrimet janë nxjerrë në dritë nga stërnipi i tij Ndoc Frroku, i cili e ka shkruar librin, nën kujdesin e redaktimin e shkrimtarit Ndue Dedaj dhe botuesit Frano Kulli.

Promovimi u bë në bibliotekën “Gjergj Fishta” me pjesmarrjen e intelektualëve nga Lezha e Mirdita.

“Për të shkruar këtë libër kam punuar mbi dokumentet e fondit të Arkivit të Shtetit”, tha autori Ndoc Frroku.

“Jam befasuar me pafundësinë e dokumenteve që autori ka mbledhur për të shkruar këtë libër”, u shpreh Dedaj.

“Libri nuk është empati për njeriun e fisit, por është studim i mirëfilltë për Marlaskajn”, vleresoi Kulli.

At Ambroz Marlaskaj, lindi në Mirditë në 1884 dhe u shua, në Romë në 1939. Pjesëmarrës në Komisinë Letrare të Shkodrës më 1916, së bashku me Gjergj Fishtën, prifti franceskan Marlaskaj ishte autor i shumë shkrimeve në revistën “Hylli i Dritës”. Botoi disa vepra, por la dhe disa të tjera në dorëshkrim, si: “Predke për ushtrime shpirtit”, “Historia e Kishës”, “Gramatikë Shqipe”.

At Ambroz Marlaskaj punoi për ta çuar shoqërinë përpara përmes të mësuarit. Ishte hartues tekstesh shkollore dhe fjalorësh në shqip e në latinisht, filozof, mendimtar e politikan, deputet i parlamentit shqiptar në 1923, i cilësuar si “gozhda e Parlamentit” për shkak të opozitarizmit të thekur. Me ardhjen e Ahmet Zogut në pushtet, emigroi në Itali derisa në amnistinë e vitit 1926 u kthye në atdhe.

Kronika e jetës së tij pasurohet veçanërisht me kohëqëndrimin si profesor dhe drejtues i katedrës dogmatike në Universitetin e Romës, ku shërbeu deri në fund të jetës së tij.  

R.D/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Veli Stafa: 11/12/2024 13:36

    Ku mund ta gjejme kete liber ?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se vota e Diasporës do jetë përcaktuese më 11 maj?