Familjet më të varfra të Europës po detyrohen të përdorin kursimet e tyre për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë. Ky është alarmi i Bankës Qendrore Evropiane në buletinin e saj më të fundit ku analizohet rritja e çmimit të energjisë.
“Familjet marrin nga kursimet e tyre për të zbutur ndikimin që çmimet e larta të energjisë kanë në konsum”, shpjegon BQE, ndërsa vlerësohet se energjia më e shtrenjtë ndikon deri në gjashtë herë më shumë për familjet e varfra.
“Provat empirike konfirmojnë se familjet po ulin ndjeshëm nivelin e tyre të kursimeve për të përballuar rritjen dhe shpenzimet e energjisë. Natyrisht, ndikimi nuk është i njëjtë për të gjithë. Me të njëjten rritje absolute të shpenzimeve për energjinë, masa e uljes së kursimeve mund të arrijë në pesë ose gjashtë herë me e madhe për familjet më të varfra. Kur shpenzimet për energji rriten, familjet reduktojnë blerjet e tyre të mallrave dhe shërbimeve thelbësore”, vlerëson BQE.
Prej disa muajsh, e gjithë Europa po përballet me inflacionin e lartë dhe miliona familje janë vënë në vështirësi për të përballuar faturat e larta.
Ndërsa në vendin tonë, qeveria ka vendosur një mburojë financiare për 768 mijë familje rezidente dhe 95 mijë biznese te vogla, të cilët sot paguajnë energjinë me të njëjtin çmim si para krizës energjetike.
Ndërkohë ka paralajmëruar një vendim të qeverisë i cili do ta bëjë më të shtrenjtë energjinë për të gjitha ato familje që harxhojnë më shumë se 700 kWh në muaj, të cilët do të paguajnë energjinë me çmimin e tregut.