Prezantimi i Strategjisë Kombëtare kundër Dezinformimit në seancën plenare të Kuvendit, u përdor nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka për të sulmuar botuesin Carlo Bollino. Socialisti Erion Braçe falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe kontribuuesit në punën e Komisionit të Posaçëm, mes tyre edhe gazetarë dhe botues të njohur, një prej tyre edhe Carlo Bollino.
Por, menjëherë pas këtij falënderimi, Flamur Noka përdori foltoren e Kuvendit për të sulmuar kështu Bollinon dhe grupin mediatik të cilin ai drejton, Report Tv dhe Shqiptarja.com.
“Kur një komision që ngrihet kundër dezinformimit falënderon publikisht Carlon që është shembulli i një medie që vetëm dezinformon tregon qartësisht se qëllimi i këtij komisioni ka qenë që të kthejë çdo media me format e dhunës apo të presionit, çdo portal t’i shndërrojë me media ‘vari Karlon’. Ky ka qenë qëllimi i këtij komisioni”, sulmoi Noka.
Socialistët u distancuan nga sulmi i Nokës. Braçe, theksoi se botuesi Carlo Bollino nga 1991 është një ndër kontributorët kryesorë për të ndërtuar median në këtë vend dhe për këtë arsye sulmohet.
“Fyerja nuk duhet të ketë liri. Carlo Bollino që nga 1991 deri më sot, është ndër kontributorët kryesorë për të ndërtuar median në këtë vend. Carlo Bollino për këtë arsye është një ndër gazetarët e huaj dhe vendas më të sulmuar që nga 1991 në këtë vend. Ne politikanët duhet të mësojmë të përmbajmë veten dhe mos të përdorim Kuvendin për të sulmuar cilindo tjetër që mendon ndryshe nga ne, dhe informon në mënyrën e tij dhe përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në këtë vend”, tha Braçe.
Niko Peleshi në emër të të gjithë grupit socialist u distancua nga ato që u thanë në Kuvend për botuesin Bollino, duke theksuar se kjo gjuhë nuk i shkon një deputeti.
“Distancim procedural të Grupit Parlamentar të PS nga gjithçka që u tha këtu që, në gjykimin tonë, nuk i shkon një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë. Mirëpo, për fat të keq, kur dalim nga ky parlament, për qytetarët jemi deputetë dhe jo gjithmonë në ndarje mes opozitës dhe mazhorancës. Te performanca dhe kalimi i kufijve të etikës parlamentare, me sharje, baltë, akuza e fjalor të papërshtatshëm, duam apo nuk duam ne të mazhorancës, në fund përgjegjësinë e mbajmë edhe ne mbi supe”, tha Peleshi.
Komente
