Deputeti socialist, Erion Brace ka dhënë sugjerim për një zgjidhje ideale që i jep siguri dhe mbrojtje këmbësorëve kur kalojnë në vijat e bardha. Në një video të postuar në Instagram që është bërë virale duket se krijohen barriera mbrojtëse për kalimtarët dhe makinat e kanë të pamundur të kalojnë.
Në rast aksidenti për shkak të shpejtësisë përtej limitit, nuk i ndodh asgjë kalimtarëve sepse janë të mbrojtur ndërsa makina mund të pësojë dëme të mëdha. Madje ndizen dritat e kuqe për të paralajmëruar automjetet se nuk e kanë radhën për të kaluar.
Në videon që shpërndau në Instagram, Erion Brace i bën thirrje kryetarit të bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj që të bëjë diçka të tillë në kryeqytet për të mbrojtur jetën e qytetarëve nga shoferët e papërgjegjshëm në timon.
Nuk janë të rralla rastet kur në vendin tonë raportohen aksidente në vijat e bardha. Ndër më të rëndat ishte më shumë se një muaj më parë në "Rrugën e Kavajës" kur një çift së bashku me foshnjen 3 muajshe u përplasën nga automjeti tip G Class i drejtuar nga Ajas Sulejmani. Ai shkeli semaforin duke kaluar me të kuqe ku përplasi prindërit dhe foshnjen që fatmirësisht nuk u lëndua, ndërsa çifti i bashkëshortëve Vilma dhe Arjan Konomi morën trajtim në spital.