Politikë

Braimllari: Opozita kërkon destabilitet, PS integrimin në BE! S’pati luftë të brendshme për vota, Rama rigjeneroi partinë

23 Maj, 18:36| Përditesimi: 23 Maj, 21:51

  • Share

Partia Socialiste mori një rezultat të thellë me 83 mandate në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, por kontribut dhanë edhe disa përfaqësues të opozitës të larguar prej saj dhe që iu bashkuan socialistëve në fushatë.

Një prej tyre ishte edhe Endrit Braimllari, ish-drejtues i strukturave të Partisë së Lirisë (ish-LSI), i cili kandidoi për PS në listën e hapur të Tiranës dhe mori 1900 vota preferenciale.

I ftuar sot në ‘Studio Live’ nga moderatori Arbër Hitaj, anëtari i këshillit Bashkiak të Tiranës tha se qëllimi gjatë fushatës që zhvilloi ishte maksimalizimi i votës për PS-në dhe numrin 5 dhe më pas fushata për votat preferenciale.

Ai shpjegoi se jo vetëm u ndje mirë brenda PS-së ku u punua në grup, por nuk pati është luftë të brendshme për vota, teksa u vunë re disiplina, organizimi dhe qëllimi i përbashkët, që ishte rezultati final për mandatet e deputetëve.

Në lidhje me opozitën ku dikur bënte pjesë, Braimllari shpjegoi se ata humbën një nga shanset më të mëdha në këto zgjedhje, ku PS u tregua më e aftë për ta përdorur si kartë elektorale, që ishte rigjenerimi i partisë me figura të reja, teksa 53 deputetë do të të jenë të rinj në Kuvend.

“Gjatë gjithë muajit të fushatës u ndjeva pjesë e skuadrës, pati ritmin e vetë, mora një numër votash të pëlqyeshëm, por prioritet ishte maksimalizimi i votës për numrin 5 të PS dhe thirrja ishin për këtë. Sepse sa më shumë vota të merrte PS, aq më shumë mandate përktheheshin dhe më pas ndaheshin në kandidatë. Qëllimi ishte marrja e maksimumit. Mendoj se kam dhënë një kontribut modest, sepse PS është forcë e madhe e organizuar. Koha ishte e shkurtër, do doja të kisha më shumë vota, gjithsesi i falënderoj të gjithë për mbështetjen dhe ndihem i vlerësuar. E prisja që PS të kishte rezultat më të mirë në Tiranë se 2021 dhe e kisha parashikuar se do ishte më mirë, ku nga 18 u morën 19 mandate, edhe si pasojë e disiplinës, harmonisë së brendshme dhe maksimalizimit të votave. U mor maksimumi i rezultatit dhe është i kënaqshëm”, tha Braimllari për Report Tv.

Ai vuri theksin te harmonia brenda socialistëve dhe aftësia për të punuar në grup, gjë që mungonte te opozita ku aderoi për shumë vite.

“Pati harmoni brenda grupit të PS-së dhe nuk kishte garë apo orientim vote, madje kemi bërë thirrje edhe për votim të kandidatëve të tjerë, sesa vetes në disa raste. Pra u dha kontribut pranë kandidatëve, sepse në finale e rëndësishme ishte të fitonte PS. Kurse gara brenda ka qenë pozitive, që i shërbeu rezultatit. PS nisi me avantazh, në kombinimin që i bëri listave për deputetë, ku i dha hapësirë gjeneratës së re, atë që kërkonin qytetarët PS dhe kryeministri Rama ua dha. Futja e figurave të vjetra të PS-së në listën e hapur i shërbeu garës dhe maksimizimit të votës. Partia tjetër u mbyll në listat e sigurta. Një faktor tjetër ishte mesazhi përtej të majtës dhe të djathtës, për integrimin europian dhe mesazhit për anëtarësimin në BE. Rezultati i 83 mandateve ishte pikërisht fal kësaj pune dhe asaj që ishte bërë nga qeveria në katër vite”, argumentoi ai.

Kandidati shprehu keqardhjen për strategjinë që zgjodhi PD-ja dhe PL-ja, sidomos për rastin e kolegut të tij në Këshillin Bashkiak Tiranë, Ilir Alimehmetit.

“Më vjen keq që doktor Alimemeti është jashtë parlamentit edhe pse me 18 mijë vota në PD, unë e kam koleg te Këshilli bashkiak, ai është pozitiv si figurë dhe është fatkeqësi që nuk do jetë në Kuvend. Ky ishte gabim i Partisë Demokratike me listat, unë edhe e kisha thënë gjatë fushatës se si opozita ka bërë listat nuk kërkonte rrotacion politik, por se si të zotëronin PD-në. Kurse PS me kombinimin e listave në Tiranë dhe qarqe kërkoi të shkonte përtej rezultatit të mëparshëm dhe për rrugën europiane, ishte për votë masive për t’u bërë realitet pasaporta europiane”, shpjegoi Braimllari.

I pyetur për rezultatin e ish-partisë së tij, PL-së, ai u shpreh se as nuk e dinte realisht se sa vota kishin marrë kryetari apo kandidatët, ish-kolegë t ëtij.

“Nuk e di realisht sa vota ka marrë apo se si dolën në zgjedhje në PL, por ka rëndësi për mua rruga europiane dhe kontributi im në PS. Partia Socialiste është forcë që punon çdo ditë, që rigjenerohet dhe shikon përpara, është çështje aftësie, dëshirë dhe vizioni. Këtë kartë që mund ta kishte përdorur opozita, e përdori PS-ja, ku 53 janë deputetë të rinj dhe 70% janë po të rinj. Rama i dha shans për reformim klasës politike shqiptare, kur në fakt duhet ta bënte opozita. Sondazhet që nga 2017 janë të njëjta, sepse qytetarët duan politikë jokonfliktuale, fytyra të reja apo rigjenerim të politikës”, tha ai.

Kandidati i PS u shpreh se opozita rendet drejt frymës konfliktuale dhe kërkon destabilitet, kurse nga ana tjetër qeveria kërkon ta çojë vendin drejt integrimit në BE.

“Opozita kërkon destabilitet, nuk kërkon progres, rigjenerim të partisë etj. Më vjen keq për gazetarin Aulon Kalaja në Durrës, mori 8 mijë vota dhe mbetet jashtë parlamentit. Opozita nuk dha mesazhe për rigjenerim dhe progres. Mesazhi im edhe për ish-kolegët e opozitës është që të shohin nga e ardhmja europiane e vendit, pasaporta europiane dhe e ardhmja e fëmijëve tanë, përtej luftës politike. Anëtarësimi në BE kërkon vëmendjen e të gjithëve”, përfundoi ai.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?