Një 36-vjeçare është vënë nën hetim nga policia e Rinasit, pasi braktisi në Suedi, 2 vajzat e saj të mitura (13 dhe 15 vjeçe), me qëllim që të kërkonin azil në këtë shtet.
Policia thotë se pas verifikimeve është evidentuar një rast i braktisjes së fëmijëve të mitur, në vendet e BE-së, me qëllim për të kërkuar azil. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen D. Ç., 36 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se kjo shtetase ka braktisur në Suedi, 2 vajzat e saj të mitura (13 dhe 15 vjeçe), me qëllim që të kërkonin dhe të përfitonin azil, në këtë shtet.
Në kuadër të bashkëpunimit me autoritetet policore në Suedi, 2 shtetaset e mitura janë kthyer në Shqipëri.
Policia Kufitare do të vijojë kontrollet në të gjitha pikat e kalimit, për dokumentacionin, si dhe intervistime për përmbushjen e kushteve për lëvizjen drejt vendeve të BE-së apo vendeve të tjera, për të gjithë qytetarët.
Gjithashtu, do të vijojë bashkëpunimi i ngushtë me homologët e të gjitha vendeve të hapësirës SCHENGEN e më gjerë, për verifikimin, identifikimin dhe ndëshkimin ligjor të të gjithë atyre që braktisin të miturit, për qëllime azilkërkimi.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët të mos ndërmarrin asnjë veprim që ka si qëllim azilkërkimin, pasi shanset për të fituar atë janë zero. Policia e Shtetit është e vendosur për të ndëshkuar ligjërisht të gjitha rastet e braktisjes së fëmijëve të mitur, jashtë vendit, me qëllim azilkërkimin.