Carlo Ancelotti po pret një takim me Florentino Perezin, ai do të vendosë për të ardhmen e tij vetëm në fund të kampionatit dhe nuk ka ndërmend të largohet nga Reali derisa të shkarkohet. Milan dhe Roma në pritje, paçka se Brazili e kërkon me ngulm për në kombëtare.
Brazili sulmon, Ancelotti mbrohet. Të hënën, kur Spanja u përfshi në një "blackout" për shkak të mungesës së energjisë elektrike, doli lajmi se trajneri italian kishte një akord paraprak total me Federatën Braziliane të Futbollit dhe do largohej nga Real Madrid në fundin e këtij sezoni. 10 milionë euro do jetë paga e Ancelottit nëse kalon te Brazili.
Paçka lajmeve që vijnë nga Spanja, Gazzetta dello Sport thotë se Brazili më së pari duhet të konfirmojë veten sepse në qershor ka dy ndeshje deçizive për në Kupën e Botës. Më 4 qershor Brazili luan në Guayaquil kundër Ekuadorit, ndërsa më 10 qershor presin Paraguain në "Maracana". Te Brazili kërkojnë garanci nga Ancelotti për vetë pozitën ku ndodhen me trajnerët. Që kur Tite u largua, presidenti i federatës ka provuar dhe shkarkuar tre trajnerë, Menezes, Diniz dhe Dorival, të gjitha zgjedhje katastrofike me Brazilin që përballet me një krizë të paprecedentë teknike dhe morale.
Besnikëria - Presidenti i Federatës të Brazilit, Ednaldo Rodrigues e dëshiron Ancelottin. Ancelottit i pëlqen Brazili. Por Carlo e ndërtoi karrierën e tij të jashtëzakonshme mbi një themel të saktë; besnikërinë. Ai kurrë nuk tha një fjalë të keqe ose të pakëndshme për një punëdhënës, edhe kur kishte të drejtë.
Dhe tani ai as nuk ëndërron t’i kthejë shpinën Real Madridit, klubit që e do më shumë pas Milanit, kur ende ka 14 muaj të mbetur në kontratën e tij me "Galaktikët".
Dje Carlo ishte jashtë shtetit dhe kur i mbërritën thashethemet, ai nuk ngriti asnjë vetull, por mblodhi supet, i mërzitur më tepër sesa i acaruar. Për të, asgjë nuk ka ndryshuar; kur Real Madridi ta informojë për shkarkimin e tij, atëherë ai do të vendos për të ardhmen. Vetëm atëherë.
Një e ardhme që mund të jetë në Brazil, ose në pension. Ose në mënyrë romantike me Romën ose Milanin nëse dy klubet italiane duan dhe arrijnë të prekin fibrat emocionale të trajnerit emilian. E vështirë, pothuajse e pamundur, por është e drejtë që, nëse e gjykojnë të përshtatshme, Milani dhe Roma ta provojnë.
Madridi do të zgjedhë Xabi Alonson, i cili nga ana tjetër, së bashku me Bayer Leverkusenin po pret që Florentino Perez t'u tregojë diçka. Presidenti i Real Madrid është personi që tërheq fijet dhe menaxhon kohën e këtij trekëndëshi midis Spanjës, Brazilit dhe Gjermanisë.
Komente
