Kronikë

‘Bregdeti ynë’/ IKMT shembi 137 ndërtesa të paligjshme! Zv/kryeinspektori për Report Tv: Prioritet shembjet në fshatrat turistike

14 Shtator 2021, 16:32| Përditesimi: 14 Shtator 2021, 16:42

  • Share

TIRANË- Në aksionin “Bregdeti Ynë” nga IKMT, në disa zona bregdetare u prishën 137 objekte dhe sipas numrin 2 të IKMT, Guri Seferi u shmangën konfliktet me qytetarët, sikusre një pjesë u prishën vullnetarisht.

 “U prishën 137 objekte. Këto, me struktura druri, profile hekuri dhe beton arme. Vetë qytetarët, në momentet e para e kundërshtuan, siç ishte rasti i Ksamilit, por pas saj nuk patëm asnjë rast të konfliktit me qytetarët. Vetë kjo tregon që nuk kishte selektivitet. Ato që ishin me profile druri apo hekuri, filluan t’i prishin vetë. Nga totali prej 137 objektesh të prishura, 13 objekte janë prishur vetë nga qytetarët, pa i dëmtuar”, shprehet zv/kryeinspektori i IKMT, Guri Seferi.

Por IKMT nuk e quan të përfunduar aksionin. Inspektorët janë në terren për të verifikuar çdo rast të paligjshëm.

 “Pavarësisht aksionit të muajit qershor, trupa kanë qenë në terren në të gjithë territorin e Shqipërisë, kanë evidentuar, kanë kontrolluar dhe kanë të gjithë dokumentet e duhura, të cilat ose i jepet kohë personit fizik që ka ndërtuar pa leje ta prish vetë, ose në të kundërt merr gjobën dhe bëhet prishja e objektit”, thotë Seferi.

Në qendër të vëmendjes janë zonat kryesore, sidomos ato bregdetare dhe fshatrat turistike.

 “Qëllimi kryesor është që zonat kryesore turistike, zonat urbane të qyteteve apo fshatrat turistike që janë në projektin e 100 fshatrave, do të jenë prioritarë”, shton zv/kryeinspektori Seferi.

Strategjia e IKMT është këshillimi i qytetarëve. Por, a janë ndërgjegjësuar shqiptarët për ndërtimet pa leje? Si shfaqet situata në terren?

 “Qytetarët duhet të jetojnë me situatën, nuk ka më mbrojtje qoftë nga strukturat shtetërore apo strukturat e tjera ligj-zbatuese, siç janë Policinë e Shtetit apo IKMT. Sot ka vetëm zbatim ligji. Qëllimi i IKMT-së dhe strukturave të tjera është të këshillohen dhe ndërgjegjësohen qytetarët. Ka ndryshuar shumë dhe sot qytetarët kudo aplikojnë për leje ndërtimi. Janë shumë më të ndërgjegjësuar nëse e krahasojmë më vite më parë”, përfundon zv/kryeinspektori i IKMT, Guri Seferi.

Dhjetë ditë më parë, me kërkesë të Bashkisë së Himarës, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit shembi në mënyrë të kontrolluar me lëndë plasëse një objekt pesë katesh. Së shpejti pritet të votohet në Parlament ligji i ri për bregdetin, i cili parashikon penalitet për ndërtuesit pa leje. Në fokus të paligjshmërisë janë edhe vetë punonjësit e IKMT. Pak ditë më parë u arrestua drejtori i zyrës rajonale të IKMT në Dibër, Lutfi Miftari, i cili mori ryshfet një shumë parash nga një administrator i një kompanie.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?