TIRANË- Për gazetarin Sokol Bregu, pasi Nuredin Dumani u kthye në “të penduarin e drejtësisë” dhe zbardhi shumë ngjarje kriminale, bota e krimit ka ndryshuar taktikë. I ftuar në emisionin ‘5 pyetjet nga Babaramo’, Bregu tha se tashmë porositësit e vrasjeve nuk po marrin me vrasës me pagesë që kanë qenë tradicionalisht pjesë e këtij tregu, por të rinj në “këtë fushë”.
“Që nga koha kur u arrestua Dumani, kemi 12 të penduar të tjerë. Kjo solli që porositësit e vrasësve të krimit u larguan nga vrasësit me pagesë që ka qenë tradicional dhe u besojnë të rinjve, tha Bregu në studion e Report Tv.
Duke u ndalur te te penduarit e drejtësisë, e më konkretisht te vrasjet nga grupi i Emiljano Shullazit, Bregu ka zbuluar se Luftar Reçi ka kërkuar që të rrëfejë krimet që në 2007, por për motive që nuk dihen, nuk është marrë dëshmia e tij. Është dashur ndërrimi i tre prokurorëve të përgjithshëm dhe që SPAK të nisë punën, që të merret dëshmia e tij.
“Për herë të parë e ka kërkuar që të bëhet i penduar rreth viteve 2007, që kur ka qenë Ina Rama. Janë ndërruar 3 prokurorë të përgjithshëm, deri sa erdhi SPAK. U pranua historia e tij pas shumë vitesh", tha Bregu.
Nga ana tjetër, gazetarja e Report Tv, Keti Banushi ka treguar se aktualisht janë 14 “të penduar”, e ndërsa ka zbuluar atë se çfarë ndodh personin që rrefen krimet pasi del nga burgu.
“Bashkë me familjen largohen jashtë shtetit, marrin një identitet tjetër dhe deri tani nuk kemi dëgjuar që mund të jenë gjetur apo t’i ketë ndodhur diçka. 14 të penduar deri tani, Erjon Alibej është në tentativë që të bëhet i penduar i drejtësi”, tha Banushi.
Bashkëpunëtori i drejtësisë Luftar Reçi ka dëshmuar përballë Emiljano Shullazit, Viktori Imerit dhe Lulzim Berishës që i akuzon për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame dhe Klodian Saliu në 2005. Në seancën me dyer të mbyllur mësohet se Reçi nuk është tërhequr nga akuzat. Bashkëpunëtori i drejtësisë ka deklaruar para gjykatës së është kërcënuar me jetë nga të akuzuarit që të tërhiqte dëshminë.