Miu i arave është kthyer në një problem tepër shqetësues në zonën e Myzeqesë pasi ka shkaktuar dëme të mëdha në sipërfaqet e mbjella me drithëra e foraxhere.
Novruz Kuka, fermer në Kurjan të Roskovecit tha se ka dëme të mëdha në jonxhë sepse miu i arave arrin të gërryejë të mbjellat deri në tharje.
“Po 50%, nuk e ka numrin e bimës këtu se e rrallon. Dëmton edhe grurin”, thotë ai.
Një prej kultivuesve më të mëdhenj në zonën Topojë – Semanit të Fierit, Mili Sako pohon se shtimi i brejtësve bëhet në mënyrë të shpejtë dhe nuk mund të luftohen në mënyrë individuale.
“Nuk dimë si ta luftojmë, nuk kemi një agronom të na shpjegojë mbrojtjen e bimëve”, shprehet ai.
Përballë kësaj situate fermeri Llesh Marku nga Levan kërkon nga Drejtoria e Bujqësisë të nise sperkatjen për shfarosjen e brejtësve.
“Ato investimet që jep shtetit, Europa, të na ndihmojnë të paktën 10%”, thekson fermeri.
E njëjta situatë është në fushat e Maliqit, ku të mbjellat po shkatërrohen për shkak se të shtimit të madh të brejtësve. Pushteti lokal është i pamundur për të ndihmuar fermerët, ndaj kërkon plan masash nga Ministria e Bujqësisë.
“Ne kemi adresuar problemin edhe tek Ministria e Bujqësisë, e cila përmes Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, na ktheu përgjigje që këtë vit do ndërhyjë. Jemi në pritje të vlerësimit të kësaj kërkese dhe ndërhyrje në terren”, thekson Arben Dulellari, Drejtor Bujqësie Maliq.
Burime pranë Drejtorisë së Bujqësisë thanë se miu i arave nuk është përhapur në një sipërfaqe të gjerë krahasuar me vitet e mëparshme ndërkohë që nuk kanë dhënë asnjë informacion nëse ka një plan masash për të ndihmuar fermerët e dëmtuar nga infektimi i tokave bujqësore.
Komente
