Brenda qershori buxheti i shtetit për vitin 2024 do të rishikohet përsëri. Një nga ndryshimet ka të bëjë me rritjen e buxhetit të Ministrisë së Bujqësisë, ku do të përfshihet edhe një skemë garancie sovrane e dedikuar sektorit të bujqësisë që do të ketë në fokus rritjen e investimeve.
“Kjo skemë që ne jemi duke punuar, dhe që besoj në muajin qershor do të ketë pasqyrim edhe në aktin normativ me mbështetjen e qeverisë, synon një garanci sovrane për bujqësinë në raport me investimet. Për ti ardhur në ndihmë duke filluar nga korriku të gjitha bizneset përfshirë ato që kanë interes për të investuar në përpunim apo në aktive fikse, apo për të zgjeruar kapacitetet me dhomat e tharjes me një garanci sovrane, me një akses në financë, dhe me mundësi subvencioni për të pasur një mbështetje gjatë gjithë viteve në vijim”, tha Denaj.
Kjo skemë garancie do të synojë që të rrisë sa më shumë aksesin në financë për shkak se bujqësia është sektori më pak i financuar nga bankat, pasi ka rrezik te lartë. Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë gjatë vitit të kaluar bankat kanë dhënë për këtë sektor vetëm 2.7 miliardë lekë, ose rreth 0.9% e totalit të huasë së re të dhënë për gjithë ekonominë përgjatë vitit të kaluar.
Në takim me fermerë të sektorit të bimëve aromatike ministrja e Bujqësisë Anila Denaj ka folur për hartën e tregjeve ku shiten bimët mjekësore shqiptare.
“Ne gjithmonë shikojmë drejt perëndimit për këto kontrata. Por duhet të hapim një dritare të re edhe drejt lindjes sepse në takimin me bizneset nga Arabia Saudite që kishin një interes të shtuar drejt këtij produkti dhe cilësisë që ai ka në Shqipëri”, tha ministrja.
Për vitin 2024 financimi për mbështetjen e fermerëve së bashku me rishikimin pritet të arrijë në 55 milionë euro.