Unaza e madhe e Tiranës, do të përfundojë plotësisht brenda vitit 2024. Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se në prill të vitit të ardhshëm do të dorëzohet loti i dytë nga ish-Sheshi Shqiponja te Bulevardi i Ri.
“Tek loti dytë kanë përfunduar veprat e artit, jemi duke punuar me rifiniturat dhe ndërkohë kemi nisur me trotuaret, gjelbërimin. Jemi sot duke filluar me asfaltimin. Për një periudhë të shkurtër do e kemi të af gjithë aksin. Është vepra më e gjatë, është mbi 2 km dhe ka pasur shtrirje në një gjatësi shumë të madhe në një territor të banuar”, tha kreu i ARRSH, Ervis Berberi.
Ky lot që kalon nga Paskuqani, sipas kryetarit të Bashkisë së Kamzës ka dhënë impkat në zhvillimin e zonës, duke shtuar numrin e banorëve dhe ka rritur vlerën e apartamenteve, ku çmimi për metër katror ka arritur 1000 euro.
“Falë këtij investimi është rritur vlera e pronës. Falë këtij investimi deri në këto momente vetëm leje ndërtimi për pallate kanë shkuar mbi 60 mijë metër katrorë që kanë marrë leje ndërtimi. Ka pasur impakt të jashtëzakonshëm. Vlera e pallateve është rreth 1 mijë euro metri katrorë”, tha kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli.
Ndërsa për lotet e tjera 4-5-6 puna vijon, dhe aktualisht volumi i punimeve të ndërtimit ka arritur në 40%.
Gjatë inspektimit të punimeve në lotin e dytë ku po bëhet gati rruga për asfaltim, u tha se në vitin 2024, përveç unazës do dorëzohet Tuneli i Llogarasë dhe Tuneli i Murrizit.