Mançesteri u trondit sot nga një sulm me thikë në Sinagogën e Komunitetit Hebraik të Parkut Heaton, ku të paktën tre persona u plagosën ndërsa sulmuesi u qëllua për vdekje nga policia.
Sipas dëshmitarëve fillimisht autori përplasi me makinë disa persona dhe më pas plagosi disa të tjerë teksa ishin mbledhur për festën më të shenjtë në kalendarin hebraik.
Kryetari i bashkisë së qytetit, Andy Burnham, e përshkroi incidentin si "serioz", duke theksuar se nuk ka më "rrezik të menjëhershëm" për komunitetin pas ndërhyrjes së policisë.
Kryeministri Keith Starmer shkroi në X se ishte i tronditur nga kjo ngjarje.
“Jam i tronditur nga sulmi në sinagogën Crumpsall. Fakti që kjo ndodhi në Yom Kippur, ditën më të shenjtë në kalendarin hebraik, e bën situatën edhe më të tmerrshme”, tha Starmer.
Zëvendës-komisioneri Laurence Taylor, kreu kombëtar i policisë kundër terrorizmit në Britani, deklaroi se sulmuesi është vrarë nga policia dhe se besohet se autoritetet tashmë e kanë identifikuar atë. “Bazuar në atë që dimë deri tani, policia kundër terrorizmit e ka shpallur këtë një incident terrorist,” u shpreh Taylor në një konferencë për shtyp përpara ndërtesës së Scotland Yard në Londër. Ai gjithashtu konfirmoi se janë kryer edhe dy arrestime shtesë në lidhje me ngjarjen. Taylor e cilësoi sulmin ndaj komunitetit hebre në ditën e shenjtë të Yom Kipurit si “shkatërrues” dhe shtoi se policia po “riaktivizohet me shpejtësi” për të garantuar sigurinë dhe për të qetësuar komunitetin hebre në mbarë vendin.
Komente
