Telefonata e parë e një burri të frikësuar u bë në një shoqatë bamirësie franceze: “Të lutem na ndihmoni, jemi nën ujë, bashkë me familjen”.
Në orën 1. 53 të mëngjesit lajmi mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar. Gomonia me afro 50 klandestinë po mbytej në 'kanalin e vdekjes', midis Francës dhe Britanisë.
Mes të shpëtuarve mendohet se ishte edhe një fëmijë 11-vjeçar. Asnjë nga të mbijetuarit nuk ndodhet në spital dhe kërkesat e tyre do të përpunohen nga autoritetet e emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrën normale pasi të kenë përfunduar çdo kontroll tjetër policor dhe mjekësor.
Edhe këtë të enjte operacionet e kërkimit vazhduan në Kanal, me frikën se përveç 4 të vdekurëve dhe rreth 40 të shpëtuarve, ka ende persona në ujrat e ftohta
Shpëtuesit nga varkat e peshkimit thanë se u ishte thënë se emigrantët kishin paguar 5,000 Paund për një vend në gomone, me njerëz që vinin nga Afganistani, Iraku, Senegali dhe India. Të tjerë konfirmuan Afganistanin si një nga origjinat e atyre që ishin në varkë.
Më shumë se 40,000 njerëz kanë kaluar Kanalin me varka të vogla këtë vit në një përpjekje të dëshpëruar për të shkuar në MB. Zakonisht duke paguar disa qindra ose disa mijëra paund në kohë për kalimin e rrezikshëm që mund të zgjasë pesë orë ose më shumë.
Shumë klandestinë nga Shqipëria gjithashtu ndjekin këtë rrugë. Në fillim të kësaj jave kryeministri Rishi Sunak tha se do të kërkonte të përshpejtonte kthimin e njerëzve në shtetin ballkanik, sepse vendi nuk ishte përfshirë në një luftë.