Britania e Madhe ka publikuar bilancin e emigrantëve të cilët kaluan në Kanalin e La Manshit gjatë vitit 2022.
Sipas shifrave të qeverisë, gjithsej 45,756 emigrantë kaluan Kanalin Anglez dhe kaluan në Britani , duke përfshirë 90 persona që bënë udhëtimin nga Franca me dy anije në ditën e Krishtlindjes .
Ministria e Mbrojtjes nuk regjistroi incidente të tjera të ngjashme gjatë gjashtë ditëve të mbetura të vitit 2022 kur kushtet atmosferike ishin të pafavorshme.
Zyrtarët e Home Office vlerësojnë se deri në 60,000 njerëz ka të ngjarë të kalojnë Kanalin gjatë vitit të ri. Politikanët janë përpjekur të kontrollojnë krizën e migracionit gjatë vitit të kaluar teksa tensionet rriten mes paqëndrueshmërisë politike me tre kryeministra dhe tre ministra të brendshëm të zëvendësuar në një hapësirë të shkurtër kohore.
Sekretarja e Brendshme Suella Braverman, e cila njihet për qëndrimin e saj të ashpër ndaj emigracionit, ka folur për "ëndrrën" e saj për të parë realizimin e planit të qeverisë britanike për të dërguar refugjatë në Ruandë.
Gjykata e Lartë në Londër ka vendosur se ky plan është i ligjshëm, por ende nuk është zbatuar për shkak të proceseve ligjore në pritje. Që nga nënshkrimi i marrëveshjes në prill, 40,460 emigrantë kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar duke kaluar Kanalin Anglez.
Kujtojmë se Qeveria britanike ka arritur marrëveshje me Shqipërinë për emigrantët e paligjshëm. Kryeministri britanik Rishi Sunak bëri publike marrëveshjen për frenimin e emigracionit shqiptar, e cila do të përshpejtojë deportimet. Sunak në Parlament tha se 1/3 e azilkërkuesve janë shqiptarë, të një vendi të begatë e të sigurt, teksa njoftoi se 400 specialistë britanikë do të zbarkojnë në Rinas për të ndalur emigrantët.
Ky plan masash erdhi pas bisedës telefonike që pati Sunak me kryeministrin Edi Rama. Tema e shqiptarëve në Britani të Madhe ka qenë tepër e lakuar duke kujtuar këtu debatin që ka përfshirë vendin mbi numrin e emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë me varka nëpërmjet kanalit të ‘La Manshit’. Kjo nxiti reagimin e madh nga ana e shqiptarëve në Britani të Madhe, të cilët organizuan edhe protestë të madhe në Londër, ku kërkuan që ministrja e brendshme, Suella Braverman t’u kërkonte ndjesë.