Britania e Madhe mund të bëhet vendi i parë në botë i cili po i shpallë “luftë” obezitetit, duke taksuar sheqerin dhe kripën!
Ky rekomandim për taksimin e sheqerit dhe kripës së gjendur në produktet industriale, të ashtuquajtura “snacks”, vjen nga një komision i caktuar nga qeveria e Boris Johnson në kuadër të “luftës” me obezitetin dhe dekurajimit të konsumimit të ushqimeve të pashëndetshme.
“Pandemia e dhjamit” nuk është vetëm çështje e Britanisë së Madhe, por një plagë nga e cila vuajnë të gjitha shoqëritë dhe mbi 2.1 miliardë njerëz ose 30% e popullsisë botërore. Edhe për Shqipërinë tonë të vogël, shifrat e obezitetit janë alarmante!
Për vitin 2021, nga rreth 3 milionë shqiptarë 21,70% prej tyre mbi 18 vjeç vuajnë nga obeziteti për shkak të kequshqyerjes.
Këto janë tregues, se rekomandimi i Britanisë së Madhe për të vendosur taksë mbi sheqerin dhe kripën është një nismë për t’u duartrokitur dhe mund të merret si shembull nga të gjitha qeveritë e shteteve, përfshi edhe atë shqiptar, pasi obeziteti si pasojë e kequshqyerjes është një rrezik i madh, që nuk kanos vetëm të rriturit por edhe fëmijët e vegjël.
Sipas raportit të hartuar kjo vjen edhe si një nxitje për ndryshimin e fizlozofisë së prodhuesve, në mënyrë që të riformulojnë recetat e produkteve dhe të zvogëlojnë përmbajtjen e kripës dhe sheqerit nëpër “snacks”, siç ka ndodhur me pijet me gaz pas vendosjen së taksës së sheqerit në vitin 2018.
Kryeministri Johnosn ka një pengesë për të kaluar përpara, pasi nisma e tij bie ndesh me interesat e gjigandëve të industrisë britanike dhe botërore.