Britania e Madhe, Australia dhe Kanadaja njohën zyrtarisht Palestinën, duke shtuar kështu trysninë ndaj Izraelit.
Për ekspertin e çështjeve gjeopolitike, Ledion Krisafi, kjo nuk ndryshon asgjë përveç se ëshyë trysni ndaj Izraelit.
I ftuar në emisionin më të ri në Report Tv, Bota Report, Krisafi tha se nuk ekziston një shtet palestinez, pas nuk ka as kufij, as qeveri dhe as kontroll mbi territorin.
Sipas tij, vetëm SHBA-ja është shteti që mund të ndikojë në raportin Izrael-Palestinë.
“De facto nuk ka shtet palestinez në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Një shtet duhet të ketë qeveri, territor, kufij, duhet të ketë kontrolle mbi atë territor që pretendon se qeveris dhe shumica e shteteve të botës e kanë njohur Palestinën prej shumë kohësh. Ajo që mund të ndryshojë në këtë moment është trysnia që mund të shtohet ndaj Izraelit.
Palestina në këtë moment, ajo që është në Bregun Perëndimor dhe Gaza, nuk ka një qeveri të përbashkët, në Gaza kemi Hamasin, në Bregun Perëndimor kemi Autoritetin Palestinez, dhe vetë Autoriteti Palestinez nuk kontrollon gjithë Bregun Perëndimor. Shumicën e Bregut Perëndimor e kontrollon Izraeli, sipas Marrëveshjes së Oslos në vitin 1994. Autoriteti Palestinez kontrollon vetëm qendrat urbane që janë palestineze. Në Bregun Perëndimor ke gjithashtu kolonë hebrenj, janë rreth 800 mijë prej tyre. Lëvizja e Britanisë së Madhe dhe Francës është simbolike, për t’i bërë trysni Izraelit.
Vetëm Uashingtoni, Donald Trump, ka mundësi të ndryshojë ndonjë gjë në lidhje me Izraelin dhe Palestinën. Askush tjetër nuk ndryshon asgjë sepse në qoftë se SHBA do njihte një shtet palestinez, atëherë kjo po që do ishte një vijë e kuqe për Izraelin, do detyrohej të pranonte ekzistencën e një shteti palestinez”.
Sipas ekspertit Krisafi, Izraeli nuk ka për ta pranuar kurrë ekzistencën e një shteti të Palestinës, dhe sipas tij, arsyet janë dy.
“Unë mendoj që Izraeli nuk ka për të pranuar asnjëherë ekzistencën e një shteti palestinez për arsye strategjike. Është e shkruar në doktrinën strategjike të Izraelit që Izraeli nuk mund të lejojë në asnjë mënyrë që minimumi këtë pjesë të kufirit mes Jordanisë dhe Bregut Perëndimor ta marri një shtet tjetër, pra duhet të jetë gjithmonë nën kontrollin e Izraelit.
E dyta, kolonizimi që Izraeli i ka bërë gjatë këtyre 30 viteve Bregut Perëndimor, e bën të vështirë krijimin e një shteti palestinez. Sa më shumë koloni që ka, aq më pak tokë do ketë për palestinezët”.
Komente
