Britania vendos sot nëse themeluesi i WikiLeaks, Assange do të ekstradohet në SHBA

20 Maj, 09:20| Përditesimi: 20 Maj, 09:22

  • Share

Themeluesi i kompanisë WikiLeaks, Julian Assange, do të mësojë sot nëse e ka humbur betejën ligjore në gjykatat angleze, për të parandaluar ekstradimin në Shtetet e Bashkuara.

Kush është Julian Assange?

Assange ka lindur në Taunsvill të Australisë në korrik të vitit 1971.

Përgjatë adoleshencës, ai ka fituar reputacion si programer i sofistikuar i kompjuterit, dhe më 1995 e ka pranuar fajësinë dhe është gjobitur për hakim.

Në të 20-at e tij, ai është pranuar në Universitetin e Melburnit dhe ka studiuar për matematikë dhe fizikë.

Çka është Wikileaks?

Assange e ka lansuar faqen WikiLeaks më 2006, duke e krijuar një platformë për ata që rrjedhin informacione.

Faqja ka marrë vëmendje të madhe në prill të vitit 2010, kur në të është publikuar një video e klasifikuar, në të cilën është parë sesi sulmi i kryer me një helikopter amerikan, më 2007, ka lënë të vrarë dhjetëra njerëz në kryeqytetin irakian, Bagdad, përfshirë dy pjesëtarë të stafit të agjencisë së lajmeve, Reuters.

Përgjatë vitit 2010 janë publikuar më shumë se 90.000 dokumente të klasifikuara të ushtrisë amerikane për luftën në Afganistan dhe rreth 400.000 dokumente sekrete amerikane për luftën në Irak, duke shënuar kështu incidentin më të madh të sigurisë në historinë e ushtrisë amerikane.

Më 2011 janë publikuar edhe 250.000 dokumente sekrete diplomatike të ambasadave amerikane nëpër botë, dhe disa prej tyre janë shpërndarë edhe prej mediave me nam si New York Times dhe Guardian.

Këto rrjedhje të informacionit i kanë zemëruar dhe turpëruar politikanët amerikanë dhe zyrtarët ushtarakë, të cilët kanë thënë se janë rrezikuar shumë jetë.

Ish-analistja e inteligjencës ushtarake amerikane, Chelsea Manning është dënuar me shtatë vjet burgim për rrjedhje të informacionit te faqja WikiLeaks, dhe më pas është liruar prej ish-presidentit amerikan, Barack Obama.

Grupit i është kthyer vëmendja para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara, kur faqja ka publikuar dhjetëra mijëra emaila të krerëve të fushatës së kandidates presidenciale, demokrates Hillary Clinton.

Një raport i Senatit amerikan më 2020, ka gjetur se Rusia e ka përdorur faqen WikiLeaks për t’i ndihmuar republikanit Donald Trump për të siguruar fitoren në atë proces zgjedhor.

Trump e ka hedhur poshtë raportin dhe Rusia e ka mohuar ndërhyrjen në zgjedhje.

Arrestimi dhe nisja e betejës ligjore

Në nëntor të vitit 2010, një gjykatë suedeze pati urdhëruar ndalimin e Assange-it, si rezultat i dyshimeve për krime seksuale, të cilat ishin ngritur prej dy vullnetareve suedeze të WikiLeaksit.

Ai është arrestuar nga Policia britanike në dhjetor të vitit 2010 pas një fletarrestimi evropian të lëshuar prej Suedisë.

Assange i ka mohuar akuzat dhe ka thënë se diçka e tillë është pretekst për ta ekstraduar në Shtetet e Bashkuara, për t’u përballur me akuzat për publikim të dokumenteve prej WikiLeaksit.

Në qershor të vitit 2012, pak pasi Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar e ka refuzuar kërkesën e tij kundër ekstradimit në Suedi, ai ka hyrë në Ambasadën e Ekuadorit në Londër dhe ka kërkuar azil.

Shtatë vjetët e Assange-it në Ambasadën e Ekuadorit

Ekuadori ia ka miratuar Assange-it kërkesën për azil në gusht të vitit 2012.

Policia britanike e ka vëzhguar vazhdimisht objektin për të parandaluar ikjen e tij, duke e paralajmëruar për arrestim në minutën që largohet prej ambasadës.

Si përfundim, Assange ka jetuar në ambasadë. Prokurorët suedezë i kanë mbyllur hetimet më 2017, mirëpo policia britanikët ka thënë se ai ende do të arrestohet nëse largohet prej ambasadës, për shkak se i ka shkelur rregullat e një dënimi me kusht.

Përgjatë periudhës në ambasadë, ai është bërë baba i dy fëmijëve me partneren e tij Stella Moris.

Ai është martuar me të më 2022 në burgun britanik Belmarsh në Londër.

Hapja e rastit në SHBA

Më 11 prill 2019, Assange është larguar prej ambasadës dhe është arrestuar, pasi Ekuadori ia ka refuzuar azilin.

Në muajin pasues, ai është burgosur për 50 javë, për shkelje të rregullave të lirimit me kusht.

Në qershor të vitit 2019, Departamenti amerikan i Drejtësisë i ka kërkuar zyrtarisht Britanisë ekstradimin e tij, për t’u përballur me 18 akuza që lidhen me komplotin për të hakuar kompjuterë të Qeverisë amerikane, si dhe për shkelje të ligjeve për spiunim.

Assange e ka përfunduar dënimin e tij në shtator të vitit 2019, mirëpo vazhdon të qëndrojë në burgun e sigurisë së lartë Belmarsh, në pritje të seancës për ekstradim.

Më 2021, një gjyqtar britanik ka thënë se Assange nuk duhet të ekstradohet, me arsyetimin se problemet e tij mendore nënkuptojnë që ai rrezikon të kryejë vetëvrasje.

Autoritetet amerikane e kanë fituar apelin në dhjetor të vitit 2021, duke ia mundësuar Assange-it të kryejë burgun në Australi, nëse dënohet.

Beteja e fundit ligjore

Në qershor të vitit 2022, Britania e ka miratuar ekstradimin e tij dhe një vit më vonë, një gjyqtar në Gjykatën Supreme të Londrës e ka refuzuar një kërkesë për të sfiduar këtë vendim.

Në shkurt, ekipi ligjor i Assange-it ka kërkuar leje për apel final, duke argumentuar se rasti është i motivuar politikisht, sulm ndaj lirisë së fjalës dhe gazetarisë, dhe që Assange mund të përballet me dënim me vdekje, nëse dënohet.

Gjykata në Londër i ka hedhur poshtë këto argumente, mirëpo ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të ofrojnë garanci që ai nuk do të përballet me dënim me vdekje dhe do të mund të mbrohet me Amendamentin e Parë për liri të fjalës.

Të hënën, një gjykatë do të vendosë nëse qëndrimet amerikane i shuajnë të gjitha shqetësimet.

Nëse e humb betejën ligjore në Britani, mundësia e fundit bllokuese për ekstradimin e tij do të mbetet në Gjykatën Evropiane për të Drejta të Njeriut.

Mbështetësit e Assange-it besojnë që nëse ai do të ekstradohet, do të mbahet në ndonjë burg të sigurisë së lartë dhe nëse dënohet, do të mund të përballet me dënim prej 175 vjetësh burgim.

Prokurorët amerikanë kanë thënë se dënimi nuk do të jetë më i gjatë se 63 muaj.

Kryeministri australian, Anthony Albanese, ka bërë thirrje për lirimin e tij, derisa presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë muajin e kaluar se po shqyrton kërkesën e Australisë që akuzat të pezullohen, ndonëse zyrtarët amerikanë kanë përsëritur disa herë se kjo çështje i takon Departamentit të Drejtësisë.

E përditshmja amerikane, Wall Street Journal ka thënë në mars se Departamenti i Drejtësisë është duke konsideruar zbutjen e dënimit, në rast të pranimit të fajësisë, mirëpo ekipi ligjor i Assange-it ka thënë se nuk ka indikacione që autoritetet amerikane dëshirojnë të zgjidhin ashtu këtë rast./Rel

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?