Politikë

Brunilda Haxhiu: Rilindja solli shpopullimin, programi ynë parashikon ndihmë ekonomike, paga dinjitoze dhe luftë ndaj korrupsionit brenda 100 ditëve

27 Prill, 16:15| Përditesimi: 27 Prill, 16:39

  • Share

Zv. Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, deklaroi sot se Aleanca për Shqipërinë Madhështore vjen para qytetarëve me një ofertë konkrete për ndryshimin e vendit.

Në një deklaratë për mediat, Haxhiu prezantoi programin e Aleancës për Shqipërinë Madhështore, i cili sipas saj parashikon ndihmë ekonomike, paga dinjitoze dhe luftë ndaj korrupsionit brenda 100 ditëve.

Duke kritikuar qeverinë aktuale për varfërinë, rënien e nivelit arsimor, mungesën e shërbimeve shëndetësore dhe shpopullimin masiv, Haxhiu tha se “Rilindja” nuk ka përmbushur asnjë premtim nga ato që ka bërë. 

'Aleanca për Shqipërinë Madhështore po troket në derën tuaj me kërkesën që së bashku ta bëjmë Shqipërinë të jetueshme. Trokasim në derën tuaj me kandidatë që janë bashkëudhëtarët tuaj të përditshëm, ndaj edhe do të bëhen zëri juaj në parlament. Secili prej nesh e njeh mirë varfërinë që jetojnë familjet shqiptare, rënien e nivelit arsimor dhe pasigurinë në shkolla. Ne jemi dëshmitarë të mungesës së shërbimit shëndetësor në spitale. Falimentin e biznesit të vogël e përjetojmë përditë në lëkurën tonë. Ç’ju thotë Rilindja kur troket në derën tuaj? Me hipokrizi ju tregon pasaportën europiane, ku janë vetë ata që nëpërmjet narkoqeverisjes së tyre kanë përkeqësuar çdo tregues që do të na fuste në Europë. Sepse integrimi europian nuk është interesi i tyre. Interesi i tyre është të mbajnë pushtetin me çdo kusht, edhe pse nuk kanë mbajtur asnjë premtim. Vetëm një objektiv ka arritur Rilindja: Shpopullimin masiv të Shqipërisë.

Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka një program shumë të qartë që mbështetet në katër shtylla: Paketa e Dhembshurisë do të aktivizohet brenda 100 ditëve të para, sipas të cilës asnjë ndihmë ekonomike për njerëzit në nevojë, për gratë, studentët, pensionistët etj. nuk do të jetë nën 200 euro që është minimumi jetik. Pensionet do të rriten me 20%. Paga minimale do të jetë 500 euro dhe paga mesatare 1200 euro. Karta e konsumatorit do t’u kthejë shqiptarëve deri në 450 euro në vit si kthim TVSH-je. Çmimi i energjisë do të jetë 7 lekë/këH. Çmimi i naftës do të ulet me 35%. Do të mbështesim personat me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre.

 Ndalja e shpopullimit dhe mbështetja e familjes është misioni ynë i rëndësishëm. Ne do të realizojmë jo vetëm një rikthim fizik, por rikthim me dinjitet, me kushte, me mbështetje. Zero taksa për 5 vite për çdo emigrant që kthehet dhe investon në Shqipëri. Paga dinjitoze dhe program strehimi për familjet e reja. Pastrimi i shtëpisë është kushti që Shqipëria të bëhet vërtet madhështore. Milionat e vjedhura do t’u kthehen shqiptarëve. Me anë të një auditi të përgjithshëm, veset, hajdutëria, korrupsioni do të shkulen njëherë e përgjithmonë nga Shqipëria. Vendi ynë do të ndërtohet mbi virtytin dhe meritën', tha ajo. 

S.B/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni kontratën 6 mln dollarë të PD për lobim në SHBA?