Në sektorin bankar në vend janë 344 milionë euro kredi me probleme. Në raport me shkurtin e vitit të kaluar, vlera e kredisë së keqe është ulur me 14.3 milionë euro.
Pas një rritje të lehtë në muajin janar Banka e Shqipërisë thotë se niveli i huave me probleme në muajin shkurt ra në nivelin më të ulët që prej vitit 2008. Vetëm 4.6% e totalit të kredisë së dhënë klasifikohet me probleme, nga 5.1% që ishte niveli në shkurt të vitit të kaluar.
Ndikim në këtë rënie të kredive me probleme po jep edhe rritja e kreditimit të ekonomisë. Sipas të dhënave në fund të muajit shkurt, totali i kredisë së dhënë për ekonominë ishte 7.3 miliardë euro, nga afro 6.9 miliardë euro që ishte në shkurt të një viti më parë.
Mirëpo edhe bankat prej disa muajsh po tregohen më të kujdesshme në dhënien e kredisë, dhe kanë shtrënguar kushtet e kreditimit, në mënyrë që të mos rrezikojnë, duke shmangur rritjen e kredisë së keqe.
Por po ashtu sipas vlerësimeve të bankës edhe përmirësimi i ekonomisë, i shoqëruar me rritje të pagave dhe ulje të inflacionit, po ndikon në rritjen e fuqisë paguese të qytetarëve, ndryshe nga sa ndodhi në 2022-2023 kur inflacioni ishte më i lartë.
Nga ana tjetër ndikim jo të vogël në këtë rënie të kredisë me probleme ka dhënë edhe kursi i këmbimit. Duke qenë se leku është forcuar me 10 lekë më shumë se në shkurt të vitit të kaluar, ka bërë që kostot e kthimit të kredisë së marrë në euro të ulen. Konkretisht nëse kësti mujor vjet ishte 1000 euro e konvertohej në 114 mijë lekë, këtë vit ky këst përllogaritet në 103 mijë lekë. Kjo për shkak se euro në shkurt u këmbye mesatarisht me 103 lekë.