Ekonomi

BSh kufizoi kreditë, ekspertët: ‘Lë’ pa shtëpi çiftet e reja! Tavanet u caktuan për të shmangur ‘flluskën’ në ndërtim

27 Maj, 16:32| Përditesimi: 27 Maj, 17:49

  • Share

Në mes të një tregu të çorganizuar si ndërtimi, ku spekulimi në çmimet është i madh, vendimi i bankës së Shqipërisë për të kufizuar kreditë për qytetarët për blerje banese sipas ekspertëve do të dëmtojë shtresën e mesme.

“Me kushtet që ka vënë këtë mund të lindi një problem shumë i madh për qytetarët me pagë mesatare, apo një çifti i ri që kanë paga mesatare. Do të japë një efekt tkurrës në kredi, dhe bankat do të refuzojnë më shumë kërkesa për kredi. Grupet vulnerabël dhe çiftet e reja do të kenë më të vështirë për të marrë një kredi”, tha në Report TV eksperti i ekonomisë Ergis Sefa.

Për shkak të çmimeve vetëm në rritje në Shqipëri po shiten më pak apartamenteve. Sipas shifrave zyrtare vjet u shitën 31 mijë prona nga mbi 35 mijë prona që ishte numri i kontratave në vitin 2023.

“Sot që flasim 55% e qytetarëve blejnë prona me kredi. Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë shumë pak dhe tek pjesa tjetër nuk ka ndërhyrë fare, tek ajo pjesë që blen shtëpinë në cash”, thotë eksperti i pasurive të paluajtshme Armand Shkëmbi.

Ekspertët gjykojnë se ky vendim është marrë edhe për të parandaluar një flluskë në sektorin e ndërtimit.

“Banka e Shqipërisë për të ndërprerë ciklin vicioz ku kredia rritet dhe çmimi i pronave rritet, për të parandaluar atë që ndodhi në Amerikë në 2008-ën vendosi disa limite, disa tavane për të shpëtuar bankat se ky është roli i Bankës qendrore. Ndërsa efekti që do të kenë në tregun e pasurive të paluajtshme në çmime ndoshta do të jetë frenues, mund të ketë një flluskë nuk i dihet”, shprehet eksperti i ekonomisë Ergis Sefa.

“Tregu është mbinxehur në nivele të paprecedente për një ekonomi modeste si kjo e jona. Tregu i ndërtimeve është një skenë e madhe spekulimi, gjysma e pronave janë blerë nga njerëz që i kanë për të shtuar investimet, pra nuk ka rritje reale të kërkesë”, thotë eksperti imobiliar.

Kufizimi tjetër i caktuar nga Banka Qendrore është për këstet mujore të kthimit të kredive. Për huatë në lekë kësti mujor nuk duhet të jetë më shumë se 40% e të ardhurave të kredimarrësit, ndërsa kur është në valutë ulet në 35%.

“Pothuajse një e treta e të ardhurave të familjeve shkon për kreditë, por nëse e ke pronë të parë unë ta lejoj deri në 40% të të ardhurave. Po me 400 mijë lekë të vjetra këst kredie ti maksimumi 65 mijë euro mund të marrësh. Ca mund të blesh në këtë vlerë”, thotë Sefa.

“Në Paskuqan janë sot çmimet më të lira pasi mund të gjesh 950-1000 euro të tjerat janë shumë më shtrenjtë”, thekson Shkëmbi.

Kur kredia kërkohet në lekë për të blerë banesën e parë, banka mund të japë deri në 85% të vlerës së pronës, ndërsa për shtëpinë e dytë e në vijim deri në 80%. Kurse për huanë në valutë tavanet do të jenë 75% dhe 70% në varësi të blerjes nëse është banesë e parë apo e dytë.

K.M/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kuvendi, si e vlerësoni punën e legjislaturës që po mbyllet?