Ekonomi

BSH nuk ndryshon normën bazë të interesit, Sejko: Ekonomia po rritet, kemi plan masash kundër pagesave me ‘lekë në dorë’

1 Tetor, 18:05| Përditesimi: 1 Tetor, 19:46

  • Share

Ekonomia e Shqipërisë këtë vit do të rritet mesatarisht 3.5%, dhe i njëjti trend do të vazhdojë edhe për vitin 2026. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha në konferencë për shtyp, se përtej pasigurive, situata është pozitive ndërsa objektivi i tyre është kthimi i inflacionit në objektiv prej 3% brenda 2026-ës.

***

Banka e Shqipërisë nuk e ndryshoi normën bazë të interesit prej 2.5%, pasi sipas Guvernatorit Gent Sejko, perspektiva ekonomike është pozitive, pavarësisht pasigurive që burojnë nga tregu i huaj.

“Pasiguria ende e lartë në mjedisin e jashtëm mbetet një faktor rreziku për zhvillimet në vend. Dinamikat tregtare dhe gjeopolitike, si dhe luhatjet e çmimeve të mallrave bazë në tregjet ndërkombëtare, mbartin pasiguri dhe kërkojnë ndjekjen e politikave të kujdesshme”, tha Sejko.

Përtej performancës negative të bujqësisë dhe industrisë prej muajsh, banka qendrore vlerëson se rritja ekonomike edhe për vitin e ardhshëm do të jetë në shifrat 3.5% - 3.7%.

“Rritja ekonomike në gjithë viti të jetë 3.5% deri 3.7%, ato sektorë që janë të lidhur me importet janë më të rritur, ndërsa ato që janë të lidhur me eksportet kanë një rënie. Rritja ekonomike është e qëndrueshme, dhe pritet të vazhdojë. I njëjti parashikim do të jetë edhe për vitin 2026, në shifrat e këtij viti. Ne gjithmonë jemi me konservatorë”, tha Sejko.

Sa i përket inflacionit i cili pritet të kthehet në objektivin prej 3% në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, Sejko tha se rritja e çmimeve në muajit e fundit ka ardhur prej dy faktorëve.

“Inflacioni shënoi një rritje të lehtë në muajt korrik e gusht, duke arritur në nivelin 2.4%, nga 2.3% në tremujorin e dytë. Kjo ecuri u ndikua kryesisht nga rritja e çmimit të qirave dhe stabilizimi i çmimit të naftës. Nga ana tjetër, inflacioni i çmimeve të ushqimeve vijoi të bjerë”, tha Sejko.

Guvernatori tha se po punohet edhe për një plan për reduktimin e parasë cash në ekonomi.

Nga data 7 tetor do të nisin transfertat përmes SEPA, tha guvernatori, dhe qytetarë e biznese do të kenë komisione më të ulëta për transfertat.

Ora 19:42
Plan kundër ‘lekut në dorë’, Sejko: Digjitalizojmë pagesat, të formalizojmë ekonominë

1759340656_parajacash.jpg

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë njoftoi në konferencë për media se po punohet edhe për një plan për reduktimin e parasë cash në ekonomi, që në fokus do të ketë digjitalizimin e pagesave.

“Banka e Shqipërisë është duke punuar për dixhitalizimin, modernizimi i sistemeve të pagesave që shkon paralel me uljen e nivelit të ekonomisë dhe objektivave të formalizimit të përgjithshëm të ekonomisë shqiptare”, tha Sejko.

Nga viti 2026 tha Sejko pritet të nisë edhe zbatimi i sistemit të pagesave të shpejta që brenda vendit që përdoret edhe në Bashkimin Evropian.

“Një punë e madhe nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim ose me atë të bankës së Italisë po bëhet në një sistem të zbatimit të një sistemi pagesave të shpejta që quhet TIPS. Ky është një sistem i Bashkimit Evropian të cilin e përdor banka e Italisë dhe Shqipëria parashikon që ta zbatojë këtë sistem të njëjtë gjatë vitit 2026. Pra, zhvillimet në sistemet e pagesave, modernizimi i sistemeve, digjitalizimi i tyre parashikojmë një ulje të ndjeshme të përdorimit të cash-it”, tha Sejko.

Raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë tregon se jashtë bankave në kulmin e sezonit veror qarkulluan më shumë se 4.6 miliardë euro, afro 598 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. për të frenuar përdorimin masiv të parasë cash në ekonomi qeveria planifikon t’i ‘bllokojë’ pagesat me para në dorë brenda vitit 2028.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si iu duket?