Pasi vendimi hyri në fuqi në 31 dhjetor 2021, Banka e Shqipërisë ka publikuar për herë të parë tavanin e normave të interesit për kreditë konsumatore. Sipas të dhënave të bankës për të gjithë qytetarët që do të marrin kredi deri në 200 mijë lekë, norma efektive maksimale e interesit do të jetë 171.41% për kreditë me këste. Për overdraftet në këtë vlerë norma maksimale do të jetë 19.55% dhe 27.28% për kartat e kreditit.
Ndërkohë në rast se kredia është mbi 200 mijë lekë deri në 2 milionë lekë, norma maksimale e interesit për kreditë me këste është 38.79% dhe për overdraftet 16.75%.
Këto tavane do të zbatohen nga bankat dhe institucionet jo-banka për 6 mujorin e parë të këtij viti. Pas muajit qershor Banka e Shqipërisë do të publikojë normat maksimale të interesit për 6 mujorin e dytë të vitit.
Pas publikimit të këtyre normave ku qytetarët që marrin 200 mijë lekë mund të kthejnë deri në 340 mijë lekë, ka reaguar dhe deputeti i PS-së Erion Braçe duke ju bërë thirrje qytetarëve që të mos joshen nga borxhet e shpejta.
“A e kupton tani se pas një flete, një fletë të vetme që firmos apo dhjetëra fletëve të një kontrate qëllimisht te komplikuar e qe ti nuk e kupton, janë shumë para që do paguash?! Mos u josh e mos u jep pas reklamës banale për tek Borxhet e shpejta; Nuk ua thonë këto interesa! Mendohu mire kur firmos e merr paratë, tani interesat janë publike, beje vete llogarinë, kane rezultuar zhvatje e janë zhvatje”, thotë Braçe.
Norma maksimale vendoset duke marrë mesataren e normave të aplikuara në 6 mujorit të fundit për kreditë konsumatore dhe rritet me 1/3 e saj.
SI ËSHTË PËRCAKTUAR KY TAVAN?
Interesi mesatar në 6-mujorin e 2 të 2021 128.56%
Shtohet 1/3 42.85%%
Norma maksimale e interesit 171.41%
Ky vendim është marrë nga banka qendrore për të mbrojtur qytetarët nga interesat e larta deri në abuzive, dhe prek më shumë institucionet e mikro-kredisë (institucionet jo bankare) pasi ato aplikojnë norma interesi më të larta, pasi e japin më shpejt huanë dhe nuk kërkojnë kolateral.
POSTIMI I ERION BRAÇES
Më në fund ka transparencë për “borxhet e shpejta”!
“Tak Fak”, “për 7 minuta”, “si mi do” etj, janë në dritë të diellit!
Banka e #Shqipërisë ka publikuar normën efektive maksimale të interesit për banka e institucione financiare jo banka, për 6 muajt që nisën;
Për shumat deri ne 200 mijë lekë:
për borxhin me këste, interesi maksimal është 171.41%
për overdraft, interesi maksimal është 19.55%
për kartën e kreditit, interesi maksimal është 27.28%
Për shumat nga 200 mijë deri ne 2 milionë lekë:
për borxhin me këste, interesi maksimal është 38.79%
për overdraft, interesi maksimal është 16.75%
Studentë, bujq apo cilido qe i drejtohet borxheve te shpejta;
A e kupton tani se pas një flete, një flete të vetme që firmos apo dhjetëra fletëve të një kontrate qëllimisht të komplikuar e që ti nuk e kupton, janë shumë para që do paguash?!
“Si mi do zemër, si mi do”-“Për 7 minuta” bën që të të vërë poshtë borxhi, të punosh për borxhin!
Mos u josh e mos u jep pas reklamës banale për tek borxhet e shpejta;
Nuk ua thonë këto interesa!
Mendohu mirë kur firmos e merr paratë, tani interesat janë publike, bëjë vetë llogarinë, kanë rezultuar zhvatje e janë zhvatje!