Sektorët kryesorë të ekonomisë po ndryshojnë pas krizave të njëpasnjëshme, nga pandemia, lufta e deri tek inflacioni.
Përveç inflacionit e tensioneve gjeopolitike, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ndër sfidat kryesore liston edhe inteligjencën artificiale e digjitalizimin.
“Shoqëritë, ekonomitë dhe sistemet tona financiare janë nën presion nga burime të ndryshme: luftërat, tensionet gjeopolitike në rritje, ndryshimet demografike, përshkallëzimi i ngjarjeve ekstreme klimatike, inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi i financave e parasë. Këto sfida kanë shkaktuar pasoja negative në zinxhirët e prodhimit dhe të furnizimit, kanë ndikuar tregjet e punës dhe kanë nxitur ndryshime strukturore të cilat kanë ndikuar produktivitetin, kostot, stabilitetin e çmimeve, si dhe stabilitetin e përgjithshëm makroekonomik e financiar”, pohon Sejko
Guvernatori vlerëson se ky tranzicion ku disa fusha po zëvendësojnë sektorët tradicional të ekonomisë po rrit presionin ndaj tregjeve të punës.
“Rezultat i këtij tranzicioni janë: aktiviteti ekonomik i përshpejtuar, pozicioni i përmirësuar i sektorit të jashtëm dhe qëndrueshmëria e rritur. Megjithatë, ky tranzicion ushtron presion edhe mbi tregjet e punës tashmë të prekura nga emigracioni”, tha Sejko.
Në fjalën e tij në nisje të punimeve të Uorkshop-i XVII të Kërkimeve Ekonomike të Evropës Juglindore, guvernatori pohoi edhe një herë qasjen e bankës qendrore për të vijuar me rritjen e normës bazë të interesit nëse inflacioni nuk ulet siç është parashikuar.