Sektori i turizmit vijon të jetë shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare. Sipas vrojtimit të fundit të Bankës së Shqipërisë në korrik besimi në ekonomi u rrit me 2.9 pikë ku ndikoi kryesisht përmirësimi i besimit në sektorin e shërbimeve dhe të tregtisë, por edhe industria. Në të kundërt, rënia e besimit në sektorin e ndërtimit dhe rënia e besimit konsumator dhanë kontribut negativ në treguesin e ndjesisë për ekonominë.
Shtimi i aktivitetit dhe kërkesa e lartë, ka bërë që sektori i shërbimeve të rrisë besimin me 6.2%, ndërsa bizneset e këtij sektori kanë raportuar ulje të lehtë të çmimeve.
Për shkak të turistëve, është rritur edhe kërkesa për më shumë konsum, për pasojë tregtia ka raportuar rritje të aktivitetit. Në tërësi besimi në tregti u rrit me 3.3 pikë përqindje në muajin korrik.
Në rritje të lehtë me 0.8% ishte edhe besimi i sektorit të industrisë, pasi kanë pasur më shumë kontrata për porosi.
Nga ana tjetër ndërtuesit nuk janë në ditë të mira. Sipas vrojtimit ky sektor e ka ulur besimin me 1% në korrik, pasi ka më pak aktivitet ndërtues dhe rënie të porosive. Praktikisht apartamentet nëpër pallate e kulla po mbeten bosh pasi s’ka kërkesë.
Pesimistë janë edhe qytetarët pasi besimi i tyre u ul me 0.9% muajin e shkuar. Ata thonë se nuk po bëjnë më blerje të mëdha, si dhe nuk kanë pritshmëri pozitive për situatën e përgjithshme ekonomike.
Komente
