'B*thëpambukët e Tiranës', shpërthimi i panjohur i Mehmet Shehut para ushtarëve të Brigadës së Parë

5 Gusht 2023, 18:04| Përditesimi: 5 Gusht 2023, 18:07

  • Share

Brigada e Parë ka qenë njësia elitë e ushtrisë shqiptare. Krenaria e saj është përdhosur në një marrshim të dështuar dhe me pasoja katastrofike në dimrin e vitit 79. E lindur si një trill i ish-kryeministrit Mehmet Shehut, e fryrë në propagandë e krekosje, Brigada e Parë pas atij marshimi të shpartalluar në malësitë e Tiranës, Burrelit e Dibrës do shkërmoqej menjëherë duke venitur kësisoj dhe idenë e ish kryeministrit për lavdinë e saj e pagëzuar prej tij qysh në vitet e luftës.

Ajo çfarë ndodhi pas atij demonstrimi fatkeq, do ti kthehej në bumerang ish-kryeministrit komunist për tu përdorur kundër tij edhe pas vetëvrasjes në kushte të dyshimta në dhjetorin e largët të 81. Shkrimtari Skifter Këlliçi ka qenë pjesë e atij marshimi sfilitës dhe sjellë për gazetën Panorama përjetimet e veta nga ai demonstrim i tmerrshëm nëpër majëmale me dëborë…

Urdhri se dhe një natë tjetër do të qëndronim në Fushë-Studën të Dibrës, mes dëborës që shkonte gati dy metra në dimrin e ashpër, na mpiu të gjithëve… Tashmë, askush nuk mund të bënte apelin e mbi 1500 rezervistëve të Brigadës së Parë, pasi repartet e nënrepartet, pothuaj ishin shkatërruar krejtësisht…

Askush nuk mendonte se do të kishte viktima… Ndërkohë, kthimi i të nesërmes drejt Tiranës, ishte kaos i vërtetë, ndërsa të papriturat me dënime e ndëshkime, do të na i rezervonte takimi me Mehmet Shehun në fillim shkurtin e vitit 1979…

NATË PA MBARIM

Vendimi për të qëndruar edhe një natë në Fushë-Studën midis qiellit dhe tokës, ose duke u strehuar me mjete rrethanore, na dëshpëroi. Por nga një anë, pavarësisht nga gabimet trashanike, ky vendim ishte i arsyeshëm, po të marrim parasysh se të udhëtoje nëpër terr, në kushte të ashpërsimit të motit që na u bë armik, ishte shumë e vështirë. Kësisoj, me të mbaruar e ashtuquajtura ligjëratë e komandantit B.I., ne na u dha për herë të parë gjatë atyre pesë ditëve ushqim i ngrohtë, ose më mirë supë me oriz, që në kushte shtëpie do ta kishim flakur. Ndërkohë, po binte mbrëmja dhe shqetësimi i të tërëve ishte se ku do të futnin kokën. Me vëllanë gjithnjë të sëmurë, u enda edhe unë të gjeja ndonjë strofull. Shtëpia bujare alpine ishte një ëndërr. Ndodheshim aq larg, sa që nëpër muzg e kisha të pamundur ta gjeja. Por, megjithatë, pikasa një çadër të madhe. U futa aty me gjithë tim vëlla. Ashtu si te shtëpia alpine, edhe aty ishte ndezur një zjarr, por i varfër, ngaqë drutë siç dukej ishin të lagura. Ashtu të mbështetur pranë njëri-tjetrit, kaluam orë e orë të tëra hera-herës duke dremitur, derisa sa më së fundi agoi një ditë e ere, dita e fundit e këtij marshimi të tmerrshëm që do të kthehej në kob.

E SHTUNË, 3 SHKURT 1979

Nëse gjatë marshimit tonë nga Reparti 1105 Tiranë-BizëFushë-Studën, kishte pasur ç’rregullsi për shkak të vetë rezervistëve, por edhe për shkak të vetë indiferentizmit të oficerëve të repartit që na shoqëronin të cilët kishin përvojë, tani eprorët tanë kishin menduar që kthimi të bëhej me disiplinë. Të gjithë pjesëmarrësit duhej të respektonin batalionet, kompanitë, togat, skuadrat pararendëse… Ideja ishte e mirë dhe kështu duhej të ndodhte. Ndërkohë, duke parë se shumë rezervistë në gjendje shëndetësore të keqe para fillimit të marshimit, të cilët, po të ishin vizituar më parë, do të përjashtoheshin nga kjo sipërmarrje e përgatitur keq e mos më keq, u vendos që një pjesë e atyre që ishin krejt të pamundur, të transportoheshin në repartin 1105 me një kamion ushtarak.

Menjëherë me vëllanë renda te ky kamion që ishte diku në cep të Fushë-Studën. Në këto e sipër, edhe komandanti ynë rezervist, Mekur Alimerko, rekomandoi që në numrin e të sëmurëve të ishte dhe vëllai im, i cili gjatë marshimit, ishte katandisur shumë keq nga gjendja shëndetësore. Dhe vëllai e pati këtë fat. Në kohën që u ndodh në majë të karrocerisë së kamionit, u orvata dhe unë të ngjitesha atje, ndonëse, të them të drejtën, nuk isha i sëmurë, por vetëm për të qenë pranë vëllait të pamundur. Mirëpo se nga mbiu aty pari shefi i Shtabit të Repartit 1105 dhe dha urdhër të prerë që në kamion të mbeteshin vetëm të sëmurët. Madje mua, ndonëse iu luta, jo vetëm nuk ma vari, por urdhëroi të kthehesha e të bashkohesha me shokët, që ndërkohë po bëheshin gati të merrnin rrugën e kthimit.

NJË E PAPRITUR

Me pushkë në krah, ndërsa këmbët më fundoseshin në dëborë e baltë të ngjeshur nga rrotat e makinave e këmbët tona, mora mbrapsht që të bashkohesha me shokët e kompanisë sime. Por, në Fushë-Studën nuk kishte këmbë njeriu. Pritej vetëm kthimi i një reparti zbuluesish që ishte zhvendosur tutje Fusha-Studën. Diku ishin tërë anëtarët e shtabit. Përballë, unë që rrija para tyre si gjynahqar. Ndërkohë, drejt meje u dha një oficer madhor. Por, çuditërisht, me pamje mikluese e sy kërkues.

-Mos je ti Skifteri, më pyeti.

Pohova me kokë i habitur se si mund të më njihte mua që kisha 10 ditë i parruar, i veshur me kapotë të bërë kallkan e në kokë një kokore të madhe kineze.

-Mos je ti ai shkrimtari, vazhdoi ai duke picëruar sytë. Përsëri pohova me kokë. U çel në fytyrë.

-Unë jam E.D., komisari i Repartit 1105, vazhdoi më me përzemërsi dhe më njohu më oficerët e tjerë të shtabit, midis të cilëve edhe me shefin, që gjysmë orë më parë më kishte mbytur me të shara. Ç’është e vërteta, me të drejtë, meqë unë kisha dashur të përzihesha me të sëmurët në makinë. Ndërkohë, ia behën rezervistët e pararojës së zbulimit, të cilët kishin përparësinë të udhëtonin me makinë. Midis tyre edhe unë, me urdhër të komisarit. Kisha qenë me fat se, kthimi i rezervistëve, do të kishte pasoja tragjike…

E DIELË, 4 SHKURT 1079

Udhëtova, pra, me makinë e pastaj edhe me “Diagaç”, një tip tanku. Arsyeja ishte se diku gjatë rrugës Fushë StudënBizë, kamioni u ndal e rezervistët u detyruan të zbrisnin për të shtyrë një top që kishte mbetur në dëborë, të cilin duhej ta transportonte tashmë kamioni ku udhëtoja edhe unë. Por nëpër errësirë, kur shokët u ngjitën sërish në kamion, as vetë nuk e di se përse mbeta poshtë në rrugë. Mbase pandeha se ai nuk ishte kamioni ku kisha udhëtuar. Komisari i Repartit, qeshi me naivitetin tim dhe sapo pikasi një “Diagaç”, i bëri shenjë të ndalej dhe më tha të futesha në karrocerinë e tij. Dritë, ngrohtësi dhe shaka me tre ushtarë shkodranë. Ja si po e kaloja atë rrugë të gjatë. Ushtarët kishin qenë roje në një stallë verore e duke ndezur zjarr ngaqë mërdhinin, stalla kishte marrë zjarr e ishte bërë shkrumb, duke përcëlluar edhe nja tri dele. Kështu që ushtarët do të procedoheshin për “mungesë vigjilence”.

Ata e kishin marrë këtë punë më shaka, se stalla nuk kishte qenë gjë tjetër veçse një karakatinë e mbuluar me shkarpa e nën dëborë… Sa për delet, ushtarët më shpjegonin se, vërtet ishin djegur e pjekur, por, në fund të fundit, mishi u kishte shijuar shumë ca oficerëve që, pasi ishin dendur paq edhe duke rrokullisur ca kupa rakie, tani i akuzonin ushtarët për dëmtim të pasurisë së repartit.

Aty nga mëngjesi “Diagaçi” me të cilin gjatë udhëtimit kisha krijuar ndjesinë që udhëtoja në një barkë që nanuriset midis valëve dhe ku kisha bërë një sy gjumë, u ndal para dyerve të hekurta të Repartit të Tankeve. Zbrita, i falënderova ushtarët dhe mora nga stacioni i autobusëve të Kinostudios. Pas një ore isha në shtëpi. Pas dy orësh ia behu edhe vëllai, i bërë kallkan majë kamionit nga era dhe shiu që i kishte shoqëruar nga Fushë-Studna, Librazhd, Elbasan, Tiranë, në repart, ku kishte dorëzuar pushkën…

Nëna dhe gratë na përqafuan që e kishim përfunduar këtë marshim aq të trazuar. E kur ne u rrëfenim peripecitë, ato zinin kokën më duar e psherëtinin. Por as ne as ato, nuk dinin se ç’aventura tragjike po kalonin ndërkohë shokët tanë gjatë kthimit… Do të kalonin pak orë, e do të mësonim se të paktën 4 vetë kishin vdekur, e dhjetëra të tjerë ishin plagosur gjatë marshimit…

E HËNË, 5 SHKURT 1979

Mëngjesi i së nesërmes qe plot diell. Pas një nate tashmë të qetë me gjumë e pa andralla, unë mora vrapin drejt repartit. Sipas rregullit rrobat ushtarake duhej t’i dorëzonim të lara më pas, ndaj shkuam atje me rrobat tona. Unë, si gjithnjë pa pushkën, të harruar në kamion një natë më parë. Pasi zbritëm në stacionin e fundit të Kombinatit të Tekstileve “Stalin”, me një frymë u dhamë në pikën e hapjes në Vaqar. Atje mbetëm të habitur kur morëm vesh se pjesëmarrësit në marshim ende nuk kishin arritur. Ç’është e vërteta, ishte mesditë. Ende nuk kishin kaluar 24 orë nga çasti kur shokët tanë, nën komandën e oficerëve të repartit 1105 kishin marrë rrugën e kthimit. Të sfilitur gjatë atyre ditëve të mundimshme, ndonëse me dëshirën që të ndodheshin sa më parë nëpër shtëpitë të tyre, ashtu si unë dhe im vëlla, ata natyrisht kishin marshuar më ngadalë. Mbase edhe kishin pushuar gjatë, mbase edhe kishin qenë miq në shtëpitë e fshatarëve… Ndaj edhe do të vononin…

MARSHIMI I BRIGADES SE PARE…

Urdhri për të marshuar drejt Tiranës pas një jave sfilitje dhe dy netëve në Fushë-Studio të Librazhdit, mes dëborës mbi 2 metra e dimrit të ashpër, u prit me gëzim nga efektivët e dërmuar. Tashmë, repartet ishin pothuaj krejtësisht të çorganizuara. Gjendja ishte shumë e rëndë aq sa askush nuk mund të merrte masa më për të mënjanuar pasojat e rënda. Dhe kjo do të ndodhte. Por do të saktësohej ditë më vonë, kur efektivat të ktheheshin në kryeqytet. Do të merrej vesh se kishte pasur katër viktima dhe dhjetëra të plagosur. Mehmet Shehu urdhëron rimbledhjen e rezervistëve në repart për t’i ndëshkuar shkaktarët që kanë turpëruar emrin e Brigadës së Parë, Heroin e Popullit… Shënohet kështu një nga ngjarjet me të rënda të dekadave të pas luftës për ushtrinë shqiptare. Vetë Mehmet Shehu, merr situatën në dorë dhe urdhëron ndëshkimet e shkaktarëve.

ALARM PER T’U KTHYER SERISHMI NE REPART!

Një ditë më vonë, ay nga mes dita kur pasi unë dhe im vëlla kishim filluar ta merrnim disi veten, na urdhëruan të ktheheshim në repart. Një ushtar trokiti në derën e apartamentit dhe na dorëzoi te dyve fletëthirrjen me dy vija të kuqe në të cilat shkruhej se të nesërmen në orën 7.00 të mëngjesit duhej të ndodheshim përsëri në repartin ushtarak. Dhe të veshur përsëri me rrobat ushtarake. Mbetëm si të kallkanosur. Nuk kuptonim se ç’kishte ndodhur…

Por, gjithçka morëm vesh kur ditën tjetër u gjendëm para depove të repartit, aty ku në mëngjesin e 29 janarit të vitit 1979 ishim nisur për të bërë këtë marshim absurd. Një pjesë e madhe e zboristëve, ashtu të armatosur me pushkë kishin lënë rrugën automobilistike dhe duke zbritur teposhtë malit të Dajtit përmes shtigjeve kodrinore kishin arritur në lagjen pranë Qytetit “Studeti” dhe që aty ishin ndodhur në shkallët e Stadiumit “Qemal Stafa”, për të parë ndeshjen finale të Kupës së Republikës midis “Partizanit” dhe “Dinamo”. Kuturisje vërtetë e marrë…

Grupe të tjera kishin humbur nëpër monopate dhe fatmirësisht kishin rënë në shtëpi të një fshati, ku ishin pritur me bujari nga fshatarët dhe të nesërmen ishin nisur për në Tiranë. Të gjitha këto veprime ishin bërë pa dijeninë e oficerëve që na komandonin. Por edhe ata, nga ana e tyre, nuk kishin qenë në krye të tyre, se, po të kishte ndodhur kështu, do të mënjanoheshin edhe katër vdekjet që ndodhën. Kufomat e dy prej tyre nuk u gjendën. Njëri, kishte mbetur pas shokëve që nuk e kishin vënë re, dhe nuk dihej se si kishte humbur jetën.

Një i dytë kishte dashur të kalonte lumin e Erzenit, që po fryhej nga prurjet e vrullshme të ujërave të shkaktuara nga shira që derdheshin furishëm nga mali. I kishte rrëshqitur këmba dhe rryma e furishme e kishte marr më veten, e kishte përplasur në faqen shkëmbore, ku dredhonte lumi dhe që atje, i goditur nga gurë dhe degë pemësh ishte mbytur .I treti ishte një zborist që bënte pjesë në batalionin tonë. Nuk dihet se si kishte mbetur pas nesh në Fushë-Studën dhe atje, me sa dukej, ishte zhdukur pa lënë gjurmë. Po kështu, kishte ndodhur dhe me të katërtin. Pastaj, kishte edhe plot të dëmtuar.

Ja këto lajme kobzeza na tronditën së tepërmi…Pritëm të ulur në fushë se na thanë se do të vinte të takohej me ne shoku Mehmet Shehu, Kryeministri, ish-komandanti i Brigadës së Parë. Pritëm të mardhur deri nga ora 3:00 e pasdites dhe pastaj na njoftuan se ai ishte shumë i zënë dhe do të vinte të na takonte të nesërmen në mëngjes. Çfarë tallje, çfarë përçmimi.

TAKIMI ME MEHMET SHEHUN

Të nesërmen, nga ora dy e pasdites ai erdhi atje, u ngjit në tribunën e vogël, ku e prisnin tërë sekretarët e parë të ndërmarrjeve, qendrave të punës dhe institucioneve të rrethit të Tiranës, Xhelil Gjoni, sekretari i Partisë i Tiranës dhe komandantët e reparteve të këmbësorisë të qyteteve të Jugut të vendit.

Ishte veshur me një kapotë ushtarakë, por në kokë kishte vënë një kasketë civile. Na vështroi sikur të ishim skllevër fajtorë. Përmes syzeve sytë e e tij shkreptinin plot vrazhdësi. Nuk na përshëndeti, nuk na pyeti si e kishim kaluar ato ditë të marshimit, nuk na qau hallin se kishim qenë të veshur me rroba verore dhe jo dimërore, se kishim kaluar net të acarta edhe në qiell të hapur, nuk shprehu as edhe një fjalë keqardhjeje për ata katër vetë që ishin zhdukur, por fjalët e para që shqiptoi ishin: “Heshtje varri…”. Nuk mbaj mend me saktësi qortimet dhe sharjet që dolën të hidhura, nga goja e tij, një ndër të cilat ishte: “Ç’na bëtë ju, bythëpambukët e Tiranës!”

Pastaj mbajti një ligjëratë të gjatë të cilën nuk e morëm vesh se përse e nisi me ngjarje nga lufta e Spanjës, ku krahas tij dhe luftëtarëve të tjerë, kishin luftuar edhe vajza të tilla si ato që kishin luftuar edhe në Brigadën e Parë Sulmuese, kurse ne ishim dorëzuar në një marshim disa ditorë. Përmendi pastaj dhe shprehjen “U marshi të keqen oficerëve të karrierës”, në kuptimin se ata nuk kishin asnjë faj që ky marshim kishte njollosur nderin dhe lavdinë e kësaj brigade heroike…Shtoi se do të dënoheshin me gjyq ata oficerë zboristë që, nuk kishin qenë në krye të detyrës, si e si të shfajësonte, siç e përsëriti oficerët e karrierë. Që ne kishim pasur kusuret tona gjatë marshimit, kjo nuk vihej në dyshim, por shumë nga gabimet tona do të ishin mënjanuar, sikur “oficerët e karrierës”, siç i cilësoi Mehmet Shehu, do të na kishin qëndruar pranë. Dhe do të kryenin kështu detyrën e tyre. Asgjë më tepër.

Pastaj, gjithnjë me zë të ashpër, ai na tha plot duf: “Marshimin do ta përsëritni pas disa ditësh, por me rroba dimërore dhe do të keni dhe ushqim të ngrohtë. Doni ta bëni këtë marshim, apo t’ju zëvendësoj me zboristë nga fshatrat e Tiranë, tha pastaj zë të lartë.

Nga halli thuajse një zëri ne shqiptuam: “Jo, marshimin do ta bëjmë përsëri ne”.

Pastaj iu drejtua komandantit të Reparti ttë Këmbësorisë së Lushnjës me këto fjalë plot ligësi: “Marshim të tillë do të bëni edhe ju, por në malësi dhe tregohuni trima se kam pushkatar gjatë luftës nja 50-60 ballistë nga fshatrat tuaja…Rikujtonte kështu me krenari këtë akt të tmerrshëm kriminal që edhe atje në varr rëndon mbi të.

Por, marshimi nuk u përsërit. Ç’kishte ndodhur? Ato dy mëngjese që pritnim kryeministrin erdhën midis nesh disa instruktorë nga Komiteti Qendror i PPSH-së dhe pyetën disa nga ne rreth marshimit. Duket se ata kishin përgatitur edhe një relacion për udhëheqjen dhe ishte njoftuar edhe vetë Enever Hoxha që dukej se kishte biseduar me Mehmet Shehun. Dhe këtë radhë diktatori kriminel ishte treguar më i arsyeshëm se vartësi i tij po aq kriminel, dhe kishte dhënë urdhër që marshimi të bëhej vitin tjetër.

EPILOG

Një pasdite të vitit 2009, kur së bashku me familjen kisha disa vite që isha vendosur në Boston, tingëlloi telefoni. Nga një qytet amerikan zuri të më fliste një grua. Kishte lexuar variantin e parë të këtij ditari të botuar më 2003 në një gazetë shqiptare. “Më kanë thënë se ju ke keni përmendur katër nga ata që humbën jetën në atë marshim dhe njeri prej tyre ishte dhe burri im”, vazhdoi të fliste ajo e përmallur. A keni mësuar ndonjë hollësi se si vdiq ai, sepse askush deri tani nuk më ka dhënë qoftë dhe një hollësi të vogël, sidomos nga ushtarakët e Repartit 1106,që kishin organizuar atë marshim. Ata as që kishin marrë mundimin që zbulonin të paktën kufomën e tij…

Nuk dija si t’i shprehesha kësaj gruaje që edhe pas 30 vjetësh ishte në kërkim, edhe këtu në Amerikë, të fundit tragjik të burrit të saj, që ka mbetur kështu i harruar. Si dhe tre te të tjerët. Por, jo prej nesh, pjesëmarrësve të atij marshimi që e kujtojmë me trishtim bashkë me ngjarjet që rendita në këtë ditar./Panorama

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tirana: 05/08/2023 21:52

    Bythpambuket e Tiranes me kryemenderistin Enver Hoxha e cuan prapa diellit shokun Mehmet. Ndersa trashegimia e tyre mban te kapur shtetin permes kryeb-pambuksit Rama.

    Përgjigju
  • Ç0RUSHJOTI: 05/08/2023 21:48

    Trim si kofini pas të vjelurave.Br1S KRENARIA eAtdheut.DheBr1105 ishte elitë eU.P.por pyll pa der ra nuk ka,por çdo gjë e ka një derman,por soji dhe sorollopi juaj ka një derman....Por dhe këtu po të kujtoj një proverbë që i ka ndodhur Pushkinit:në një ziafet të tërë hanin mishin dhe kockat ia vinin në pjatë atij dhe thanë shiko,shiko...sa ka ngënë ky.Ai qeshidhe u tha mirë unë që hëngra por kockat i lashë,ndërsa ju i keni ngrënë me gjithë kocka.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?