Në shtëpitë e reja të rindërtimit në fshatin Bubq të Krujës nuk rrjedh ujë në çezma.
“Shihe nuk ka pikë ujë, asnjë pikë. Kemi 10 ditë pa ujë, edhe ndonjë ditë që mund të vijë vetëm një orë.”
Kjo lagje e re është populluar 6 muaj më parë, por banorët thanë se asnjëherë nuk janë furnizuar rregullisht me ujë të pijshëm.
"Këtu është skandal nuk jetohet se futen fekalet brenda. grupet e punës nuk kanë qenë të aftë e kanë bërë shekullin e shko. Problemi është këtu se mbase Edi Rama nuk e di se ca ndodh këtu, por është problem serioz kur s'ke ujë për të mirë, për tu larë. Njëkohësisht është problem dhe për mbeturinat".
Ndërsa prej 10 ditësh uji është ndërprerë plotësisht për shkak se është djegur pompa e ujësjellësit.
"Nuk na lejojnë të vendosim depozita, kështu blejmë 12-13 mijë lek botin i cili mjafton vetëm për dy ditë."
"10 ditë pa ujë, kam 6 muaj në këtë shtëpi. kemi pasur me intervale, tani ka 10 ditë që është prishur fare. E blejmë ujin me bot, 12 mijë lek".
"Një javë vjen një javë jo kam ble botin se kam fëmijë të vjetër jam detyruar ta blej."
"Unë e kam pensionin 80 mijë lek dhe detyrohem të blej ujin me bot 15 mijë lek, një herë në dy ditë."
E vetmja mënyrë për këta banorë është të furnizohen me autobotë kundrejt pagesës që shkon deri në 1500 lek.
"Ja ky është boti! Shkoj mbush tek xhamia dhe e sjell këtu. Një bot i tillë kushton 12-15 mijë lek të vjetra. Ta dëgjojë edhe Edi Rama edhe inxhinieret që kanë bërë këto shtëpitë që kanë probleme me kanalizimet, por sot e kemi problemin me ujë të pijshëm".
Report Tv kontaktoi me drejtues të njësisë administrative Bubq të cilët thanë se pompa e re është me garanci një vjeçare, por firma e kontraktuar nuk ka ardhur të kryejë riparimin. Vendorët thanë se do të çojnë për ndjekje penale firmën kontraktore për shkak se nuk ka përmbushur detyrimet e kontratës. Kjo lagje e re u ndërtua nga qeveria shqiptare dhe janë strehuar 123 familje, pasi shtëpitë e tyre të mëparshme u shemben nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.