Juventus, kampioni për të shtatën herë radhazi në Itali, ka fituar edhe në javën e fundit të Serie A, teksa ka mposhtur Veronën më rezultatin 2-1.
Një përmbyllje me sukses, që përveç festës së titullit, është shoqëruar edhe me përshëndetjen për herë të fundit të portierit legjendar Gianluigi Buffon.
Pjesa e parë ka përfunduar në barazim pa gola, edhe pse ka pasur disa raste për shënim për të dyja skuadrat, sidomos për vendasit.
Me të nisur pjesa e dytë, Rugani kalon në avantazh bardhezinjtë. Tri minuta më pas Pjaniç dyfishon shifrat dhe tifozët nisin festën.
Për të ardhur në minutën e 64-t. Trajneri Massimiliano Allegri ka zëvendësuar legjendën Gialuigi Buffon, i cili ka luajtur ndeshjen e tij të fundit me fanellën e Juventus.
Është fundi i një epokë të mbushur me suksese, rënie dhe rimëkëmbje. Me emocione dhe lot, si ata që kanë derdhur të gjithë tifozët e pranishëm në “Allianz Stadium”.
Lot që nuk ka arritur t’i përmbajë as vetë numri një i “Zonjës”, i cili është përshëndetur nga të gjithë shokët e skuadrës së tij dhe ata të Verona-s.
Miqtë surprizojnë në minutën e 76-të me anë të Cerci-t. 2-1 dhe fitorja vihet në rrezik. Juventus sulmon sërish dhe në minutën e 85-të përfiton penallti, por Lichtsteiner shpërdoron.
Gjithsesi, Juventus fiton 2-1 dhe në stadium nis festa. Një gëzim mëse i ligjshëm, pavarësisht lotëve të Buffon, i cili ende nuk dihet ku do shkojë.