Ismail Kadare dhe Bujar Hudhri

'Lamtumirë mjeshtër', botuesi dhe miku i Ismail Kadaresë: Si ia kishte mbushur mendjen Helenës se duhet të ikte ai i pari

2 Korrik, 08:30| Përditesimi: 2 Korrik, 09:02

  • Share

*Bujar Hudhri, botuesi prej 30 vitesh i të ndjerit Ismail Kadare ka treguar të pathënat nga jeta e shkrimtarit si dhe momente të fundit të tij.

Shumë vite më parë, kur lexova paragrafin e fundit të dorëshkrimit të librit me kujtime të Helenës “Kohë e pamjaftueshme”, ku shkruhej se cili do të përcillte tjetrin nga kjo botë, Kadareja ia kishte mbushur mendjen se duhej të ikte i pari. Duhej të mbetesha, shkruante Helena, njëfarë kohe pas tij, ashtu sikundër pas një darke të gëzueshme. Nuk mund ta harroj tronditjen e asaj dite.

Ishte edhe atëherë një ditë e nxehtë korriku si sot, e megjithatë ndjeva të më përfshinte trishtimi. Hera e parë që lexoja kaq qartë rreshta për vdekjen e Kadaresë sa gati po e besoja vërtet. Formova numrin e telefonit të Helenës.

Me një ngut që duket se atë e la paksa të habitur iu luta të ma kalonte pak zotin Kadare t’i flisja. Hë, Bujar, ç’kemi, dëgjova zërin e tij. Ja, përfundova librin e Helenës dhe doja të të dëgjoja zërin. Dhe shtova: sa bukur, ta lexoj këtë paragraf dhe ndërkohë ne mund të flasim bashkë. E përfytyroj tani, kur do të ketë buzëqeshur, me gishtin te tëmthi kur të thoshte për ndokënd, ky është i lojtur. Nuk i duronte sentimentalizmat.

Por mëngjesin e parë të këtij korriku, për fat të keq, ndërsa nxitonim drejt spitalit me autoambulancë, e ndjeva vërtet se diçka e pakthyeshme kishte ndodhur qysh në apartamentin e tij, në rrugën “Ibrahim Rugova”. Minutat torturuese te dera e urgjencës, ecejaket e personelit në dhomë, rreth krevatit, pastaj heshtja e mjekëve.

Gjithçka mbaroi. Një punonjëse me të bardha që afrohet dhe kërkon ta ndihmoj për të plotësuar skedën e vdekjes: emri, mbiemri, atësia, mëmësia, datëlindja, adresa…

Kam pasur një përfytyrim, qysh në fëmijërinë time, që shkrimtarët nuk janë banorë të kësaj toke. Gati tridhjetë vite me Kadarenë, kjo përshtypje, madje, është përforcuar. Ndërsa e prisja në Rinas kur zbriste nga avioni dhe pas një muaji e përcillja, edhe me sy, teksa avioni shndërrohej si një pikë e zezë në qiell.

E përsëritur kaq herë, në dhjetëra vite, e përfytyroja vërtet si një zog të qiejve, siç thoshte për Lasgushin. Edhe tani kjo pamje nuk më largohet nga përfytyrimi dhe e kam të fiksuar përjetësisht në mendje.

Tani më shumë se kurrë, duke zënë vendin e tij në panteonin e letrave botërore. Ashtu siç shprehej vetë, për sivëllain e tij Martin Camaj: “Në tryezën e epërme, ku kanë zënë vend krenajat e letërsisë, nuk ngjiten zhurmat e vogla e as afrohen profilet e rëndomta. Atje ka përherë mirëkuptim e harmoni, ndaj e kremtja vazhdon përherë dhe ndriçimi i shandanëve nuk sos”.

Lamtumirë, mjeshtër!

Xh.K//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Vladimir: 02/07/2024 10:23

    Urime Bujar, shkrim i ndjer e i dhimbshem. Ti ke qene me fat ti qendrosh prane per dekada Atit te Botes shqiptare, por ne te mbetemi borxhellinj se nderkaq i ke bere ato sherbime qe krejt shqiptaret do te ishin te lumtur t'ja benin. Flm

    Përgjigju
  • Teuta: 02/07/2024 09:33

    Me preku shume shkrimi, i lehte, i qete, ndjere, dinjitioz! Ashtu i qofte dheu dhe prehja, te Madhit Kadare!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?