Bujqësia shqiptare vijon të mbetet një sektor jetik për ekonominë, por i nënfinancuar nga sistemi bankar. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe Ministri i Financave, Petrit Malaj, i kanë bërë thirrje bankave që të ndryshojnë qasjen ndaj këtij sektori, ndërsa u ndalën edhe tek garancia sovrane 3 mld lekë që do të japë qeveria për këtë sektor.
Sistemi bankar vijon të mos e përfshijë bujqësinë në hartën e tij të prioriteteve, pavarësisht rolit kyç që ajo ka në ekonominë e vendit. Guvernatori Sejko, ngriti ‘alarmin’ për kreditimin minimal që ky sektor merr aktualisht. Sejko evidentoi se ky sektor merr më pak se 2% të totalit të kredisë, ndonëse kontribuon me 20% në Prodhimin e Brendshëm Bruto.
“Kredia ka qenë e mbetet dobësi për sektorin bankar. Ky sektor merr me pak se 2% të totalit të kredisë edhe pse kontribuon me 20% në PBB. Ky sektor nuk është në pozita të mira. Duhet të nxisim zhvillimin e këtij sektori jetik për ekonominë shqiptare. Ndaj ne vendosim të miratonin programin për të nxitur kreditimin e këtij sektori, duke përfshire agroturizmin dhe agroushimin. Garancia e miratuar së fundmi garanton një hap drejt financimit të sektorit të bujqësisë”, tha Sejko.
Në tryezën me drejtuesit e bankave tregtare, Sejko bëri thirrje që të shtohet kreditimi për këtë sektor jetik për ekonominë.
“Së pari, në aspektin e ngushtë të interesit të bizneseve që ju drejtoni, dëshiroj të theksoj se shkalla e ulët e kreditimit të sektorit bujqësor nuk duhet të shihet vetëm si dëshmi e problemeve që ekzistojnë në këtë proces, por dhe si tregues potencial i kthimit të lartë që mund të siguroni nga investimi në të. Për këtë arsye, ju ftoj t’i jepni bujqësisë vëmendjen dhe ekspertizën që meriton.
Së dyti, në aspektin e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, rritja e sektorit bujqësor në sinkron dhe paralel me sektorët e tjerë të ekonomisë, duhet parë si një element esencial për zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit. Nga ky këndvështrim, si aktorë primarë në jetën ekonomike dhe financiare të vendit, ju duhet të konsideroni kreditimin e sektorit bujqësor, si një investim me kthim pozitiv në zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit.
Së treti, si aktorë të rëndësishëm në jetën shoqërore të vendit, mbështetja e sektorit bujqësor duhet të shihet edhe si detyrim moral ndaj Shqipërisë, vendi në të cilin zhvilloni me siguri dhe rentabilitet biznesin tuaj. Përkrahja e industrisë së zinxhirit ushqimor mbetet një faktor me rëndësi të vërtetë jetike për një vend dhe popullsinë e tij”, tha Sejko.
Ndërsa nga ana tjetër, Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi garancinë sovrane prej 3 mld lekësh për të nxitur kreditimin me kosto të ulët në bujqësi. Ministri shpjegoi se shteti do të dalë garant për 70% të vlerës së kredisë që do të kërkojnë këto sipërmarrje.
Në këtë mënyrë, këto biznese nuk janë të detyruara të lënë kolateral dhe po ashtu do të përfitojnë edhe kushte lehtësuese për të marrë financim.
“Të nxisim rritjen e aksesit në finance. Përmes garancive sovrane kemi mbështetur sektorë të ndryshëm, ne po hedhim hapin e radhës për skemën e re për bujqësinë me fond prej 3 mld lekë. Garancia synon të adresojë mungesën e kolateralit dhe të nxisë kreditimin me kosto të ulët. Garantojmë 70% të kredisë, normë interesi 2% dhe kredia do të jetë për investime”, theksoi Malaj.
Sipas Ministrit Malaj, me këtë skemë shteti merr një risk të konsiderueshëm, ndaj edhe bankat duhet të rrisin ndjeshëm vëmendjen ndaj bujqësisë.
“Me këtë garanci shteti merr një risk të konsiderueshëm dhe bankat duhet ta rrisin ndjeshëm vëmendjen për bujqësinë. Të ndërtojmë një model të ri zhvillimi për bujqësinë”, tha Malaj.
Shuma e kredisë nuk do të kalojë 25 milionë lekë për secilin prej subjekteve aplikuese, ndërsa norma e interesit nuk do të jetë më e lartë se 2%.
Komente

Duhet grante per bujqesine pa infrastrukture nuk mban dot kredia
Përgjigju