Gati 1.1 milionë të punësuar dhe të vetëpunësuar ka në Shqipëri. Sektori me peshën me të madhe në punësim mbetet bujqësia, e ndjekur nga shërbimet dhe industria prodhues. Sipas të dhënave të INSTAT në fund të vitit 2024, në vend ishin 110 mijë të papunë, pjesa dërrmuese të rinj.
***
Edhe pse prej vitesh në ‘spirale krize’, bujqësia mbetet në krye të fronit sa i takon punësimit të shqiptarëve.
Në total në fund të vitit 2024, në Shqipëri ishin të punësuar 1 milionë e 177 mijë persona, nga të cilët 36.7% ose 432 mijë janë në sektorin bujqësor.
Pra më shumë se 1 nga tre punëtorë në vend. Në 5 qarqe të vendit bujqësia triumfon me më shumë të punësuar.
Në qarkun e Kukësit, 72% e punonjësve janë në sektorin bujqësor, i ndjekur nga 69,4% në Dibër, më pas Berat me 61.5%, Fier 58,3% dhe Korça me 55.1% e të punësuarve në bujqësi.
Përtej rënies së sektorit dhe kontributit negativ në ekonomi, përsëri pjesa dërrmuese e popullsisë është e varur nga bujqësia, çka duhet lexuar edhe si një ‘thirrje’ për institucionet për më shumë investime në këtë sektor.
Ndërsa sektori i shërbimeve, pjesë e së cilit është edhe turizmi, pavarësisht vëmendjes së madhe prej bumit turistik, punëson vetëm 25.7% të shqiptarëve. Tirana është qarku me varësinë më të madhe ndaj këtij sektori pasi 63.8% e të punësuarve janë në ‘shërbime’ (tregti, transport, hoteleri etj).
Më pas vjen bregdeti, qarku i Vlorës me 49,2% të punësuar në shërbime kryesisht në turizëm, Shkodra, dhe më pas Lezha.
Ndërsa qarku i Durrësit, për shkak edhe të portit tregtar të mallrave, ka përqindjen më të lartë të të punësuarve në industri me 31,9%.
Në këtë raport vjetor të INSTAT, thuhet se në Shqipëri janë gati 110 mijë të papunë, pjesa më e madhe meshkuj.
Pesha më e lartë e papunësisë është tek grupmosha 15-24 vjeç me 22,8% edhe pse me rënie me 1.7% krahasuar me vitin 2023.
Kurse grupmosha në numrin më të ulët të të papunëve është 55-64 vjeç, me vetëm 5.3% ose 0.9% më pak se në vitin 2023.
Komente
