Vjeshta e gjen duke punuar që në orët e para të mëngjesit. Me eksperiencën shumë vjeçare si agronom, Hysni Hushi synon të sjellë praktika të reja që i përshtaten kushteve klimatike. Kualifikimi arsimor dhe pasioni për natyrën, kanë bërë që babai i dy fëmijëve të mos shkëputet nga toka.
“Nuk i lëmë tokat djerë, por punojmë duke i marrë maksimumin. Deri në vitet ‘80 kur vazhdoja shkollën e mesme e kam pasur pasion. Pasi mbarova shkollën e mesme bujqësore për Pemtari-Vreshtati, studiova në UBT në degën Hortikulturë dhe Mbrojte Bimësh. Vazhdoj sot e kësaj dite ta kem si burim ekonomik dhe relaks.
Për bujqësinë përdoret ajo shprehja popullore ‘shtëpi pa çati’ sepse të gjitha prodhimet janë të ekspozuara përballë faktorit meteorologjik, jo gjithçka mund ta bësh në mjedise të mbyllura, në sera dhe ka riskun sepse fryn era, bie shi, breshër.
Temperaturat e larta apo të ulta janë faktorë meteorologjik që nuk mund t’i anashkalosh. Megjithatë jena munduar që të kultivojmë ato varietete, ato lloj bimësh që të mos jenë me risk të lartë ekonomik”, tregon agronomi nga fshati Buran i Niklës.
Bujqësia është një grup shkencash në vetvete, ndaj për secilën bimë duhet vëmendje dhe njohuri për të pasur rezultate të kënaqshme. Roli i tij është thelbësor në edukimin e fermerëve të zonës.
“Punoj vet, ndihmoj dhe të tjerët me asistencë teknike, procedurat, me shërbimet sepse jo të gjithë janë të kualifikuar. Ja vlen të merresh me pemtari, ka më pak kërkesa për ujë dhe shërbime. Këtu as pluhur nuk ka sepse zona ku jam unë është zonë e pyllëzuar dhe e veshur e gjitha me bimësi. Kjo është kënaqësia e të jetuarit dhe punuarit në fshat.”, shprehet agronomi.
Në tokën e tij gjen varietete të huaja, por edhe autoktone të cilat i ruan me fanatizëm.
“Kam dardhë dhe mollë që kanë mbi 100 vite. I ruaj me shumë pasion dhe me shumë fanatizëm këta kultivarë vendas. Jam i apasionuar pas kultivarëve autokton sepse pak reklam dhe shërbim po i bëjmë”, shprehet Hysni Hushi.